Sport 6 Gusht 2023, 19:32

Arsenali fiton Superkupën e Anglisë përballë Sitit, “Qytetarët” bien pas penalltive, ekipi i Guardiolës tradhtohet nga yjet e tij

Shkruar nga Pamfleti
Arsenali fiton Superkupën e Anglisë përballë Sitit,

Arsenal ka fituar trofeun e 17 të Superkupës së Anglisë, pasi mundi me penallti Mançester Sitin. Në “Wembley” koha e rregullt përfundoi 1-1, në një sfidë spektakolare.

Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta iu afrua shumë golit në minutën e 25 me Havertz dhe Martinelin, por as njëri as tjetri nuk u treguan të saktë, duke shpërdoruar kështu një rast të artë.

Në fundin e fraksionit, portieri Ortega shpëtoi portën nga një gol i sigurt, teksa sërish Havertz gaboi nga fare pranë portës. Trajneri i “Qytetarëve”, Pep Guardiola bëri lëvizjen e duhur në pjesën e dytë, duke larguar Haland dhe duke aktivizuar Kol Palmer. Pikërisht mesfushori 21-vjeçar shndërroi në gol një kundërsulm perfekt të "Citizens" në minutën e 77.

Atëherë kur ishte menduar se fati i takimit ishte vendosur tashmë, Troshard vendosi ekuilibrat në minutën e 100, duke dërguar ndeshjen në penallti. Nga 11-metrat më të saktë u treguan lojtarët e Arsenalit, pasi “tundën rrjetën” me Odegard, Troshard, Saka dhe Vieria. Në krahun tjetër, duket se nuk ishte nata e kampionëve të Europës, pasi gabuan me De Bojnen dhe Rodrin, ndërsa Silva nuk fali.

arsenal mançester siti superkupa e anglisë