Argjentina mund të përballet me masa disiplinore nga FIFA pas festimeve që pasuan fitoren 2-1 ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, të luajtur në Atlanta.
Kualifikimi për në finale u sigurua në minutën e 93-të, kur Lautaro Martinez realizoi me kokë golin vendimtar që i dha suksesin “Albiceleste”-s dhe një biletë për finalen ndaj Spanjës.
Megjithatë, vëmendja pas ndeshjes u përqendrua te një banderolë e shfaqur nga futbollistët argjentinas, ku shkruhej “Las Malvinas son Argentinas” (“Ishujt Falkland janë argjentinas”).
Sipas rregullores së FIFA-s, një veprim i tillë mund të interpretohet si shkelje e nenit 34.3, i cili ndalon shfaqjen e sloganeve ose mesazheve me karakter politik në fushën e lojës.
Sipas The Athletic, kjo nuk është hera e parë që Argjentina përballet me një situatë të tillë. Federata argjentinase u gjobit edhe në vitin 2014 për përdorimin e të njëjtit slogan.
Media britanike sjell në vëmendje edhe rastin e fundit të UEFA-s, e cila pezulloi futbollistët spanjollë Rodri dhe Alvaro Morata për thirrje me përmbajtje politike pas përfundimit të Euro 2024.
Polemikat ishin ndezur që përpara fillimit të ndeshjes, pasi zëvendëspresidentja e Argjentinës, Victoria Villarruel, i kishte cilësuar anglezët në rrjetet sociale si “piratë uzurpues”.
Pas shfaqjes së banderolës, reagoi edhe sekretari britanik për Biznesin, Peter Kyle, i cili e dënoi publikisht këtë veprim, duke e cilësuar atë “krejtësisht të papërshtatshëm”.
Lini një Përgjigje