TAGS-AT E JAVËS

Sport25 Qershor 2026, 10:11

Botërori 2026/ Bosnja-Hercegovina kualifikohet në fazën me eliminim direkt

Shkruar nga Pamfleti
Botërori 2026/ Bosnja-Hercegovina kualifikohet në fazën me
Bosnja dhe Hercegovina

Bosnja dhe Hercegovina ka siguruar zyrtarisht kualifikimin në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026, duke u bërë skuadra e parë që kalon më tej nga pozita e tretë në grup.

Përfaqësuesja boshnjake e mbylli Grupin B në vendin e tretë, pas fitores 3-1 ndaj Katarit, duke grumbulluar katër pikë në fazën e grupeve. Ky bilanc rezultoi i mjaftueshëm për ta renditur mes tetë vendeve të treta më të mira që sigurojnë pjesëmarrjen në raundin me 32 skuadra.

Edhe pse disa ndeshje në grupet e tjera mbeten ende për t’u luajtur, rezultatet e deritanishme kanë konfirmuar matematikisht kualifikimin e Bosnjës. Aktualisht, ajo kryeson renditjen e skuadrave të vendeve të treta që kanë siguruar kalimin në fazën tjetër.

Sipas formatit të ri të Kupës së Botës 2026, tetë ekipet më të mira që renditen të tretat në grupet e tyre avancojnë në fazën me eliminim direkt, ku do të përballen me fituesit e grupeve.

Bosnja tani pret të mësojë kundërshtarin në raundin e ardhshëm. Një nga skenarët më të mundshëm është përballja me SHBA-në, fituesen e Grupit D, megjithëse kundërshtari përfundimtar do të përcaktohet vetëm pas mbylljes së të gjitha ndeshjeve të fazës së grupeve.

Ky kualifikim përbën një sukses historik për kombëtaren ballkanase, e cila në pjesëmarrjen e saj të dytë në Botëror arrin të avancojë përtej fazës së grupeve.

Lini një Përgjigje