TAGS-AT E JAVËS

Sport 9 Prill 2025, 18:46

Duka bën “kurban” tifozët për ndeshjen me Serbinë, pse FSHF vendosi të mos u japë më bileta “Tifozave Kuq e Zi

Shkruar nga Pamfleti

Duka bën “kurban” tifozët për ndeshjen me

Kush beson se vendimi i FSHF për të mos u ofruar më bileta në grup tifozërive, veçanërisht grupimit kryesor, “Tifozat Kuqezi”, është naiv.

Thjesht Federata gjeti momentin për t’u “hakmarrë” pas një fushate “bezdisëse” të TKZ për kampionatin europian që do të organizojë Shqipëria me Serbinë.

TKZ dhe “Illyrian Elite” ishin ndër ata që kundërhstuan organizimin e kampionatit europian U-21 me Serbinë, në një kohë që mediat kryesore, ministritë, por edhe pala kosovare heshtën.

Por nuk është vetëm ky motivi pse Armand Duka vendosi të marrë vendimin për të mos lejuar TKZ të blejnë bileta në grup. VNA ju sjell një analizë të hollësishme të asaj që luhet në prapaskenë…

1- Armand Duka është përpjekur të bashkëjetojë me Tifozat Kuqezi, por asnjëherë nuk ka pasur “kimi” me këtë grup. Ishin të famshme mesazhet në vitin 2016 kur ai nëpërmjet e-mailit që i dërgonte një vartëses së tij, i quante ata “Legena”.

2- Kontestimi i tyre i zhurmshëm për organizimin e kampionatit U-21 me Serbinë ishte pika që derdhi gotën. Duka u kujdes që në Shqipëri çështja të trajtohej sa më butë nga mediat e mëdha dhe ia doli në fakt. I ndërgegjshëm për reagimin që do të shkaktonte, por i joshur nga milionat që sjell ky aktivitet, FSHF u kujdes që edhe në komunikatën e saj për shtyp, të mos shkruante askund se me kë po e zhvillonte kampionatin. Qesharake si situatë, por tregonte sa në siklet ishte Duka. Grupimet e tifozëve ishin të vetmit që nuk heshtën dhe ai nuk e harroi.

3- Tifozat madje kërcënuan se do të kishin një reagim të përshkallëzuar për t’i dhënë një mesazh Dukës që në ndeshjen me Serbinë në qershor. Pra nga njëra anë i prishën qetësinë kur vendosi të bashkëpunojë me Serbinë dhe nga ana tjetër mund t’i sjellin kokëçarje në një ndeshje tejet delikate, por edhe të rëndësishme për kualifikueset. Për të mos folur më pas, që nëse Rama fiton zgjedhjet dhe ndodh ndonjë incident, sikleti bëhet Akoma më i madh…

4- Shfrytëzoi përçarjet mes TKZ. Para se të niste kjo fushatë eliminatoresh, disa skena sherresh në tribunën e TKZ u bënë virale dhe Duka u përpoq të përfitonte nga përplasjet mes tyre.

5- Në korridoret e FSHF shpesh pëshëpritej se “me biletat e kombëtares bëhet biznes”. Natyrisht, prej kohësh grupimet i blejnë biletat me të njëjtin çmim, thjesht “nderi” që u bënte FSHF ishte që ua jepte “paketë” biletat që në atë tribunë të ishin vetëm ata. Por duke qenë se interesi për kombëtaren është rritur dhe interesi për qoka po ashtu, në FSHF menduan: “Nëse është puna për bzines, atëherë e bëjmë vetë, pse t’ua lëmë tifozëve”. Të kuptohemi, në disa ndeshje biletat shkojnë në trefishin e vlerës reale.

6- Dhe meqë jemi te biznesi, a e keni parë se si avullojnë biletat në ndeshjet e mëdha, brenda orës madje? Mirëpo po të shkosh në agjenci të ndryshme turistike, aty mund të gjesh, por me çmim shumë më të kripur. Llogaria është e thjeshtë: ua bëjmë nderin agjencive, nuk kemi zëra kundër, heqim qafe ca të pabindur që bëhen të rrezikshëm kur janë bashkë dhe japim shembullin se kush na del kundër e pëson. Pra me një gur vrasim katër zogj. Ose pesë më mirë… Pse 5? Sepse kështu garantojmë që në ndeshjen me Serbinë në qershor nuk kemi incidente. Ose të paktën kështu shpresojnë në FSHF, sepse TKZ ka treguar se nuk e ul kollaj kokën përballë Federatës.

tifozat kuq e zi armand duka presidenti i fshf

Lini një Përgjigje