TAGS-AT E JAVËS

Sport30 Tetor 2025, 18:39

Epoka “Bus” mbyllet pas 46 vitesh, skuadra e LA Lakers shitet me shifra të paarritshme për çdo sport tjetër

Shkruar nga Pamfleti

Epoka “Bus” mbyllet pas 46 vitesh, skuadra e LA Lakers shitet me

Liga NBA ka miratuar zyrtarisht shitjen e shumicës së aksioneve të Los Angeles Lakers, duke vulosur një nga tranzicionet më historike në sportin amerikan.

Të gjitha ‘franchise’-at votuan unanimisht pro kalimit të kontrollit te Mark Uolter, CEO i grupit TWG Global.

Kështu, familja legjendare Bus largohet nga drejtimi i klubit pas afro gjysmë shekulli, duke lënë pas një trashëgimi prej 11 titujsh kampion në këtë periudhë.

Pesë tituj erdhën në epokën e Mexhik Xhonson, tre me Shaki O’Nill dhe Kobi Brajant, dy të tjerë me Kobin dhe Po Gasol, ndërsa i fundit me LeBron Xhejms si ‘ylli’ kryesor.

Komisioneri i NBA-së, Adam Silver, përshëndeti ndryshimin duke nënvizuar besimin te pronari i ri: “Mark Uolter ka një histori të gjatë në ligat tona, si ortak i Lakers dhe pronar kryesor i Los Angeles Sparks për më shumë se një dekadë.

Jam i bindur se ai do të jetë një drejtues i përkushtuar dhe një pasuri e madhe për ligën.”

Silver falënderoi edhe familjen Bus: “I shpreh mirënjohjen Xheni Bus dhe familjes Bus për 46 vite udhëheqjeje transformuese.”

Megjithatë, Xheni Bus do të vazhdojë si guvernatore e klubit për të paktën pesë vitet e ardhshme, duke ruajtur lidhjen historike të familjes me një nga organizatat më të mëdha sportive në SHBA.

Shuma e saktë e shitjes nuk është bërë ende publike, por raportimet flasin për rreth 10 miliardë dollarë, dhe sipas burimeve të “The Athletic”, vlera mund të arrijë deri në 12 miliardë.

Kjo e bën marrëveshjen më të madhen në historinë e sportit amerikan, duke tejkaluar çdo rekord të mëparshëm.

Lakers hyjnë kështu në një epokë të re, me ambicie të mëdha dhe me pritshmëri që rriten edhe më shumë.

 

mark uolter la lakers

Lini një Përgjigje