
Ardhja e Modriç dhe De Brojne në Serinë A ka rikthyer vëmendjen te kampionatin italian. Jo aq për cilësinë e lojtarëve, sa për moshën e tyre. Në veçanti në Angli është vënë gishti mbi numrin e madh të futbollistëve që kërkojnë të konfirmohen apo të rilindin në kampionatin italian në prag të të 40-ave. Një tendencë e vërtetuar edhe nga të dhëna të qarta dhe e theksuar pa shumë diplomaci.
“Modriç do të mbushë 40 vjeç në shtator. Ka luajtur 930 ndeshje në karrierë dhe ka fituar 7 kampionate e 6 Liga të Kampionëve. Madje ka thyer edhe dyshen Mesi-Ronaldo duke fituar ‘Topin e Artë’, pasi e çoi Kroacinë në finalen e Botërorit 2018, – shkruan “The Guardian”.
– Tani rrallë qendron në fushë për 90 minuta, nuk ishte titullar në Botërorin për Klube dhe përjetoi poshtërimin e të futurit në fushë vetëm për përshëndetjen e lamtumirës te Reali i Madridit, pas gjysmëfinales kundër PSG-së.
Nëse do të ishte tërhequr nga futbolli 5 vite më parë, sërish do të mbetej një nga lojtarët më të respektuar në histori, – vijon artikulli, – por me sytë nga Botërori i verës që vjen, Modriç zgjodhi të transferohej te Milani”. Më tej vjen sulmi i drejtpërdrejtë i gazetës britanike: “Ky fakt e konfirmon Serinë A si atdheun e padiskutueshëm të futbollistëve veteranë, edhe pse të talentuar”.
Sipas “The Guardian”, Italia në aspektin futbollistik është “një vend për pleq”. Për të përforcuar këtë ide, gazeta britanike ka përgatitur edhe një galeri me emrat e kampionëve “jo më të rinj”, që kanë mbërritur në Serinë A. Ndër ta De Brojne, ndërsa “37-vjeçari Françesko Açerbi dhe 36-vjeçari Henrik Mkitarjan janë ende pjesë e Interit, 34-vjeçari Marten de Run mbetet pika e referimit në mesfushën e Atalantës dhe Huan Kuadrado, 37 vjeç, është ende aktiv në krah.
Nga të dhënat rezulton se mosha mesatare e lojtarëve në Serinë A është 14 muaj më e lartë se ajo e 31 kampionateve kryesore europiane”. Pra, sipas anglezëve, “futbolli është një sport për të rinjtë. Në dekadën e fundit, numri i lojtarëve të moshës 23 vjeç ose më të rinj, që kanë luajtur mbi 900 minuta në Premier Ligë, është rritur me 32%.
Në të njëjtën kohë, të gjithë fituesit e ‘Topit të Artë’, që pas Kaká më 2007, janë ende aktivë. Kjo ndodh për dy arsye: gjendja fizike e futbollistëve nuk ka qenë kurrë më e mirë. Jetojnë më shëndetshëm, ushqimi i tyre monitorohet me kujdes, ndërsa mjekësia sportive moderne bën që dëmtimet si thyerjet e këmbëve apo ligamentet të mos jenë më fundi i karrierës si dikur.
Për lojtarët më në moshë ekzistojnë kampionate më pak konkurruese, por me paga marramendëse. Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo përfitojnë nga rrogat dhe vëmendja që iu ofrojnë SHBA dhe Arabia Saudite, ndërsa MLS dhe Saudi Pro League përfitojnë nga fama e tyre”.
Dhe këtu vjen krahasimi me Serinë A: “Ndonëse pozicionohet ende më lart se MLS ose kampionati saudit, është larg lavdisë së viteve ’80 apo ’90. Është një kampionat plot me yje, por yje që i kanë kaluar vitet e tyre më të mira. Gjermania është vendi i trajnerëve të rinj me iPad dhe presing modern.
Spanja ka ‘El Clásico’, Franca ka PSG-në. Italia duhet të përballet me realitetin se nuk është më fuqi dominuese. Nuk ka klube italiane në dhjetëshen më të pasur në botë. Edhe pse Juventusi dhe Interi kanë humbur finale të Champions-it, asnjë ekip italian nuk e ka fituar këtë kompeticion elitar që nga triumfi i Interit më 2010. Seria A është kthyer në një kampionat me ritëm më të ngadaltë, ku veteranët mund ta tregojnë ende veten”.
Lini një Përgjigje