
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi, është rikthyer në fushën e lojës me Trabzonsporin pas një periudhe mungese për shkak dëmtimi. Ndeshja ndaj Samsunsporin shënoi paraqitjen e tij të parë zyrtare që nga sfidat e muajit mars me përfaqësuesen.
Muçi iu afrua një goli spektakolar në minutën e 92-të, teksa provoi nga goditja e dënimit, por pa arritur të finalizonte. Megjithatë, ai u tregua i saktë dhe i qetë në serinë e penalltive, duke realizuar goditjen vendimtare që i dha Trabzonsporit kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Turqisë.
Pas përfundimit të ndeshjes, lojtari shqiptar u ndal për mediat, ku theksoi vështirësinë e sfidës dhe rëndësinë e suksesit të arritur.
“E dinim që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë. Në këtë fazë çdo përballje është e tillë dhe u ndeshëm me një skuadër cilësore. Nuk është e lehtë të luash këtu, por jam shumë i lumtur për ekipin”, u shpreh Muçi.
Ai foli edhe për periudhën e vështirë që kaloi për shkak të dëmtimit, duke theksuar se rikuperimi ka qenë gradual.
“Pata një dëmtim dhe për një ose dy javë nuk mund të ecja. Ishte një periudhë e vështirë, por tani po ndihem më mirë çdo ditë. Minutat e mia në fushë po rriten gradualisht dhe synoj të ndihmoj më shumë ekipin pas rikuperimit të plotë”, shtoi sulmuesi.
Kualifikimi në gjysmëfinale shihet si një hap i rëndësishëm për Trabzonspor, ndërsa objektivi i radhës mbetet arritja në finale.
Lini një Përgjigje