
Mbrëmjen e djeshme, luftëtari shqiptar Arijan Topallaj është përballur me Denis Frimpong në garën ekstreme në kafaz. Përballja e MMA në “Oktagon” nuk ka shkuar aspak mirë për 26-vjeçarin shqiptar.
Topallaj ka humbur vetëdijen mbrëmjen e djeshme në dyluftimin ndaj ganezit. Djaloshi shqiptar u mund me nokaut teknik dhe u detyrua të dërgohej në spital duke dalë nga ringu me barelë.
Por për fat të mirë, raportohet se gjendja e Arijan Topallajt të jetë e stabilizuar. Frimpong zhvilloi një paraqitje shumë të mirë dhe të fortë kundrejt luftëtarit shqiptar, ku si pasojë ky i fundit humbi dhe ndjenjat.
Pas fitores, Frimpong shpërtheu në lot gjatë intervistës, ndërsa ndau lajmin se po pret lindjen e djalit të tij javën e ardhshme.
“Ai tha (Topallaj) që nuk kisha zemër, por unë tregova më shumë se kaq. Jam këtu, rrezikova të mos isha në lindjen e fëmijës tim, por gruaja më dha forcën ta bëja këtë. E gjithë kjo ishte për të”, tha Frimpong.
Luftëtari me nofkën 'Kërcënimi' jo vetëm që siguroi një fitore të rëndësishme për karrierën e tij në MMA, por edhe një nga momentet më të përfolura të mbrëmjes, duke fituar respektin e publikut për forcën fizike dhe ndjeshmërinë njerëzore.
Lini një Përgjigje