
Lojtarët e Mançester Sitit kanë vendosur të rimbursojnë shpenzimet e të gjithë tifozëve që udhëtuan dhe morën pjesë në ndeshjen e Ligës së Kampioneve në Norvegji ndaj Bodo/GLimt, që u mbyll me suksesin historik 3-1 të vendasve.
Edhe vetë Erling Haland e quajti performancën “të turpshme” pas disfatës përballë ekipit të vogël norvegjez, në atë që u cilësua si një nga rezultatet më të bujshme të turneut. Shumica e tifozëve të Sitit udhëtuan me aeroplan për në Oslo përpara se të udhëtonin për në Bodo, duke qendruar në temperatura nën zero, ndërsa ekipi i Pep Guardiolës turpërohej para vendasve.
Skuadra e Sitit ka vendosur t’u kthejë tifozëve paratë e tyre për biletat për ndeshjen, për një total që arrin rreth 9357 paund, siç konfirmoi duke lëshuar një deklaratë të përbashkët të kapitenëve Bernardo Silva, Ruben Dias, Rodri dhe Haland.
“Tifozët tanë janë gjithçka për ne. Ne e dimë sakrificën që bëjnë tifozët tanë kur udhëtojnë nëpër botë për të na mbështetur në shtëpi dhe jashtë dhe nuk do ta marrim kurrë si të mirëqenë. Ata janë tifozët më të mirë në botë. Gjithashtu e pranojmë se kishte shumë udhëtim për tifozët që na mbështetën në të ftohtin e acartë gjatë një mbrëmjeje të vështirë për ne në fushë.
Mbulimi i kostos së këtyre biletave për tifozët që udhëtuan për në Bodo është më e pakta që mund të bëjmë. Jemi gati të luftojmë të shtunën për ndeshjen tonë kundër Ullvërhempton dhe pastaj përsëri të mërkurën e ardhshme kur të përballemi me Gallatasarajin para tifozëve tanë të mrekullueshëm në “Etihad””, ishte reagimi i lojtarëve të Sitit për vendimin për të mbuluar shpenzimet e biletave të 374 tifozëve udhëtues që ishin të pranishëm në stadium.
Lini një Përgjigje