Shumë banorë kanë nisur vetë kërkimet për familjarët e tyre, duke kritikuar praninë e kufizuar të ekipeve shtetërore të shpëtimit në zonat më të goditura.
Venezuela ndodhet në një situatë dramatike, tri ditë pas dy tërmeteve të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë, që shkatërruan zona pranë kryeqytetit Karakas. Autoritetet dhe banorët vazhdojnë përpjekjet për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja.
Bilanci i viktimave ka arritur në të paktën 920 të vdekur, ndërsa më shumë se 51 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur, sipas të dhënave më të fundit. Mbi 3.300 persona janë plagosur, ndërsa deri tani janë shpëtuar 243 të mbijetuar.
Operacionet e shpëtimit janë përqendruar kryesisht në shtetin La Guaira, ku ndodhet epiqendra e katastrofës. Autoritetet kanë njoftuar se hyrja në zonë do të lejohet vetëm me leje të posaçme, për shkak të kaosit dhe bllokimit të trafikut që pengojnë punën e ekipeve të emergjencës.
Garë me kohën nën rrënoja
Shumë banorë kanë nisur vetë kërkimet për familjarët e tyre, duke kritikuar praninë e kufizuar të ekipeve shtetërore të shpëtimit në zonat më të goditura. Pavarësisht deklaratave të qeverisë për një mobilizim të gjerë, situata në terren mbetet e vështirë.
"Çdo jetë që shpëtohet është një mrekulli", deklaroi kryetari i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, duke shtuar se "asgjë nuk do të fshihet për përmasat e kësaj tragjedie".
Banorët vazhdojnë të presin jashtë ndërtesave të shembura, duke ndjekur me ankth operacionet e kërkim-shpëtimit. Në La Guaira, Nazareth Jiménez shpërtheu në lot, ndërsa fqinjët përpiqeshin të çanin pllakat e betonit për të arritur te të afërmit e saj të bllokuar.
"O Zot, si do t'i nxjerrim prej andej?", tha ajo, duke kërkuar ndihmë dhe makineri të rënda nga shteti dhe komuniteti ndërkombëtar. "Ka ende njerëz të gjallë atje brenda."
Venezuelans took the search for missing loved ones into their own hands Friday in the aftermath of back-to-back earthquakes, citing the scarcity of government rescuers, as the human toll of the disaster climbed to at least 920 dead and more than 3,300 hurt.
— The Associated Press (@AP) June 26, 2026
AP Video/Juan Arraez pic.twitter.com/iWJa1BbMON
Ndihmë ndërkombëtare dhe kontroll ushtarak
Qeveria ka njoftuar se po shpërndan ushqime dhe ujë për të mbijetuarit. Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, e cilësoi këtë periudhë si "orë vendimtare për shpëtimin", ndërsa priti edhe ekipet ndërkombëtare të ndihmës.
Sipas autoriteteve, në Venezuelë kanë mbërritur 861 efektivë të kërkim-shpëtimit nga Meksika, Shtetet e Bashkuara, El Salvadori, Zvicra, Kolumbia dhe vende të tjera, ndërsa priten edhe ekipe të tjera.
La Guaira është vendosur nën kontroll ushtarak, megjithatë banorët thonë se ndihma e deritanishme mbetet e pamjaftueshme përballë përmasave të katastrofës.
Kaos, grabitje dhe mungesa
Në disa zona janë regjistruar skena kaosi, me radhë të gjata para dyqaneve dhe farmacive. Janë raportuar edhe raste grabitjesh të ushqimeve dhe mallrave të domosdoshme. Në një rast, një grua u shtri mbi tokë për të mbrojtur paketat me pelena që kishte blerë për foshnjën e saj.
Operacionet e shpëtimit vështirësohen edhe nga trafiku i rënduar dhe zhurma, ndërsa ekipet nga Meksika dhe vende të tjera kanë bërë thirrje për qetësi, në mënyrë që të mund të dallojnë shenja jete nën rrënoja.
Tragjedi njerëzore
Historitë e të mbijetuarve janë tronditëse. Omar Reyes deklaroi se humbi rreth 20 anëtarë të familjes së tij dhe tha se "mbeti vetëm në këtë jetë". Ndërkohë, shumë banorë vazhdojnë të presin jashtë ndërtesave të shembura pa ditur fatin e të afërmve.
Në një tjetër rast, 28-vjeçarja Yueildi Cárdenas tregoi se pa shtëpinë e saj të shembej para syve, ndërsa nuk ka marrë ende asnjë lajm për nënën, djalin dhe vëllain e saj, të cilët ndodheshin brenda.
Orët vendimtare
Organizatat ndërkombëtare humanitare theksojnë se periudha nga 48 deri në 72 orë pas një katastrofe të tillë është vendimtare për gjetjen e të mbijetuarve, edhe pse ky afat mund të zgjatet nëse ekzistojnë kushte minimale mbijetese.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin vlerëson se deri në 6.76 milionë njerëz mund të jenë prekur nga tërmetet, përfshirë rreth dy milionë banorë vetëm në Karakas, pasi dy goditjet sizmike përkeqësuan edhe më tej gjendjen e infrastrukturës.
Sfidë politike
Katastrofa përbën një sfidë të madhe për udhëheqjen politike të vendit. Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, përballet me kritika lidhur me reagimin e autoriteteve, në një shtet që prej vitesh përballet me krizë ekonomike dhe politike.
Rodríguez bëri të ditur gjithashtu se ka zhvilluar biseda me presidentin amerikan Donald Trump dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të cilët konfirmuan angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar ndihma humanitare dhe ekipe të kërkim-shpëtimit.
#TerremotosenVenezuela | Residentes de #LaGuaira reclaman apoyo por parte de las autoridades para rescatar a las personas que aún permanecen bajo los escombros
— El Pitazo (@ElPitazoTV) June 26, 2026
Vía: #ReporterosElPitazo pic.twitter.com/Z6OVcjumFF
Lini një Përgjigje