
Pas 12 vitesh, Klubi i Futbollit Kukësi nuk do të jetë më nën financimin e familjes Gjici. Deri më tani është raportuar për një shitje të aksioneve në masën 100%, por “Report TV” mëson se klubi i është dhuruar për një periudhë të pacaktuar një biznesmeni, profili i të cilit do mësohet zyrtarisht të shtunën kur Kukësi të mbajë një konferencë të posaçme për shtyp.
Gjithsesi përmes burimeve, “Report Tv” mëson gjithashtu se administratori i ri do jetë biznesmeni Atilio Guranjaku dhe jo një lituanez siç është thënë më herët.
Kushti për përdorimin e klubit është që të mos e shesë, pasi familja Gjici në një të ardhme jo të largët kërkon të rikthehet si zotëruese e FK Kukësit. Enigmë për momentin qendron fakti se çfarë biznesesh përfaqëson Atilio Guranjaku.
Vështirësitë e klubit të Kukësit nisën që prej arrestimit të ish-presidentit dhe kryetarit të bashkisë Safet Gjici, tashmë i dënuar me 3 vite burg. Nën udhëheqjen e Gjicit verilindorët patën edhe periudhën më të suksesshme në historinë e tyre.
Në 12 vite, Kukësi arriti të fitonte 4 trofe, Superligën në sezonin 2016-2017, Superkupën e Shqipërisë në sezonin 2015-2016 dhe dy herë Kupën e Shqipërisë në sezonet 2015-2016 dhe 2018-2019. Për herë të parë që prej administrimit nga familja Gjici, sezonin e kaluar më 2023-2024, Kukësi zbriti në Kategorinë e Parë. Këtë sezon që nis, edhe pas ardhjes së drejtuesve të rinj, Kukësi synon të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar.
Lini një Përgjigje