
Ndërsa Enzo Mareska është i shqetësuar për tregun e transferimeve dhe dëmtimet në mbrojtje, Çelsi po përballet me një problem tjetër.
Pajisje video me vlerë afërsisht 30.000 paund janë zhdukur nga fusha stërvitore e Cobham. Klubi ka telefonuar policinë dhe ka paraqitur një ankesë - siç raportohet nga “The Sun” - për vjedhjen e kamerave dhe pajisjeve të përdorura për të analizuar seancat stërvitore të ekipit të Mareskës.
Ky nuk është rasti i parë i vjedhjes në Surrej, ku ndodhet fusha stërvitore e Cobham. Disa lojtarë të Çelsit, të cilët jetojnë pranë selisë së Bluve, kanë pësuar vjedhje në shtëpitë e tyre.
Rasti më flagrant përfshinte Rahim Stërling, të cilit iu vodhën orë me vlerë afërsisht 300.000 paund nga shtëpia e tij, ndërsa ishte në Katar për Kupën e Botës 2022. Anësori i Anglisë u kthye në shtëpi për të qenë pranë familjes së tij përpara se të kthehej nën urdhrat e trajnerit Sauthgejt.
Edhe kapiteni Ris Xhejms ishte gjithashtu viktimë e një vjedhjeje në dhjetor të vitit 2021, ndërsa luante një ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe i përshkroi ata si "hajdutë frikacakë".
Hajdutët tani gjithashtu arritën të hynin në fushën stërvitore të Cobham, duke konfirmuar problemin e vazhdueshëm të vjedhjeve.
Lini një Përgjigje