Portugalia e nisi Botërorin 2026 me barazim 1-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos, në një ndeshje ku Cristiano Ronaldo nuk arriti të ndikonte në lojë. Luzitanët kaluan shpejt në avantazh me Joao Neves, por Kongos i mjaftoi goli i Wissa për të marrë një pikë.
Ronaldo, 41 vjeç, zhvilloi një ndeshje pa goditje në portë, pa driblime të suksesshme dhe pa pasime kyçe. Ai preku topin vetëm 25 herë dhe humbi tre herë zotërimin, ndërsa mbrojtja kundërshtare e mbajti larg zonave të rrezikshme.
Pas ndeshjes, Thierry Henry, analist në FOX Sports, e kritikoi ashpër sulmuesin portugez, duke u ndalur te një aksion në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1-1. Conceiçao depërtoi nga e djathta dhe dërgoi një top në zonë, por Ronaldo ndërhyri në trajektoren e pasimit, ndërsa Bruno Fernandes ndodhej pas tij në pozicion më të favorshëm.
“Tani po ju shpjegoj çfarë po bën ai. Conceiçao po merr topin. Cristiano Ronaldo është gjendur në atë situatë mijëra herë. Nëse bën atë lëvizje, e detyron mbrojtësin të marrë një vendim dhe të mbulojë zonën e gjashtëmetrave. Por meqë ai dëshiron të shënojë me çdo kusht, futet pikërisht në trajektoren e pasimit për Bruno Fernandes”, tha Henry.
Ish-kampioni i botës me Francën shtoi se lëvizja e Ronaldos ia bëri më të lehtë punën mbrojtjes së Kongos.
“Nëse do të kishte hyrë në zonën e gjashtëmetrave, mbrojtësi do të ishte detyruar ta ndiqte. Dhe në atë moment do të ishte një gol i lehtë për Bruno Fernandes. Në vend të kësaj, pikërisht sepse dëshiron të shënojë vetë, pengon pasimin për shokun e skuadrës. Kështu të dy lojtarët mbeten në fushën e shikimit dhe për mbrojtësit bëhet më e lehtë t’i markojnë. Ky është argumenti im: është skuadra që duhet të shënojë, jo ti. E patë reagimin e Bruno Fernandes pas shpinës së tij? Ishte sikur t’i thoshte: ‘Lëre topin të kalojë, bëje vrapimin tënd, krijo hapësirë që unë ta shtyj në rrjetë’. Por kjo nuk ndodhi”.
Ronaldo e mbylli ndeshjen pa gol dhe e çoi në 10 numrin e takimeve radhazi pa shënuar në turnetë e mëdhenj me Portugalinë. Megjithatë, ai vendosi një rekord të ri, pasi u bë lojtari më i vjetër i fushës që nis si titullar një ndeshje në historinë e Botërorëve. CR7 gjithashtu barazoi Lionel Messin si një nga dy lojtarët që kanë marrë pjesë në gjashtë faza finale të Kupës së Botës.
Really good analysis from Henry. This is the Ronaldo issue right now.
— Marc Geschwind (@MarcGeschwind) June 17, 2026
He's playing as a 9, but he's never been a 9 and he's not acting as a 9. Not giving Portugal those traits and it hurt them today. pic.twitter.com/yjSaOK2J5J
Lini një Përgjigje