
Emri i futbollistit të Milanit, Rafael Leao, është përmendur në raportimet mediatike lidhur me një hetim të Prokurorisë së Milanos ndaj një agjencie eventesh, e dyshuar për lidhje kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni. Lojtari ka reaguar publikisht, duke mohuar çdo përfshirje në këtë çështje.
Sipas raportimeve fillestare, disa futbollistë të Serisë A dyshohet se kanë përfituar nga shërbime eskortash të ofruara nga agjencia “MA.DE”, e cila është vënë nën hetim për akuza që përfshijnë shfrytëzim dhe ndihmë në prostitucion.
Në këto raportime është përmendur edhe emri i Rafael Leaos, i cili dyshohet se mund të ketë qenë ndër lojtarët që kanë përdorur të ashtuquajturin “shërbim shtesë”, pas daljeve në jetën e natës në Milano.
Futbollisti portugez ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime përmes një reagimi në rrjetet sociale:
“Ditët e fundit, emri im, si i futbollistëve të tjerë, është shfaqur në faqet e internetit, mediat sociale dhe gazetat në lidhje me një hetim nga Zyra e Prokurorit të Milanos. Dua ta bëj të qartë se jam plotësisht i painteresuar me faktet nën hetim. Nuk jam i përfshirë dhe nuk kam kryer asnjë krim”.
Leao theksoi gjithashtu se nuk do të tolerojë lidhjen e emrit të tij me këtë çështje:
“U bëj thirrje të gjithëve që të shmangin lidhjen e emrit tim me këtë situatë në një mënyrë arbitrare ose sipërfaqësore, pa marrë parasysh të vërtetën dhe pa respekt për jetën private”.
Në fund, ai paralajmëroi masa ligjore ndaj çdo pretendimi që cenon reputacionin e tij:
“Përpara se të jemi futbollistë, ne jemi njerëz me familje dhe reputacion. Për këtë arsye, unë tashmë i kam udhëzuar avokatit tim që të më mbrojë në çdo mënyrë kundër kujtdo që vazhdon të përhapë lajme të rreme ose që dëmtojnë reputacionin”.
Lini një Përgjigje