
Filip Kutinjo ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e kontratës me klubin brazilian Vasko de Gama, duke konfirmuar largimin nga skuadra për arsye që lidhen me shëndetin e tij mendor.
Mesfushori 33-vjeçar, i cili u rikthye te Vasko pas një karriere të gjatë në Evropë me klube të njohura si Liverpuli, Barcelona dhe Bajerni i Mynihut, deklaroi se vendimi është marrë pas një periudhe të vështirë personale dhe profesionale.
Në një postim në rrjetin social Instagram, Kutinjo theksoi se ndihet “shumë i lodhur mendërisht” dhe se nuk ishte në gjendje të rikthehej në fushë për të vazhduar kontributin e tij, duke vënë në plan të parë mirëqenien personale. Ai përmendi gjithashtu kritikat e marra nga tifozët në ndeshjet e fundit si pjesë e periudhës së vështirë që ka përjetuar.
Gjatë periudhës së tij të fundit me Vasko de Gama, Kutinjo zhvilloi 81 ndeshje dhe realizoi 17 gola. Pavarësisht largimit, ai theksoi se do ta mbajë gjithmonë në zemër lidhjen me klubin dhe tifozët.
Kutinjo e nisi karrierën profesioniste pikërisht te Vasko de Gama, përpara se të transferohej në Evropë, ku veshi fanellat e disa prej klubeve më të mëdha. Me përfundimin e kontratës, ai tashmë është lojtar i lirë dhe mund të shqyrtojë opsione të reja në vijim të karrierës.
Lini një Përgjigje