
Interi bëri detyrën, fitoi 2-0 sfidën e fundit përballë Komos, por zikaltërit dolën “duar bosh” sërish, në një kohë ku fati i titullit në Serinë A nuk ishte në dorë të tyre. Titulli i shkoi Napolit, ndërsa tani ekipit të Inzagit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të kthejë vështrimin nga finalja e Champions League, shansi i fundit për të shpëtuar këtë sezon ku fillimisht ëndërruan “tripletën”, por tani rrezikojnë jashtëzakonisht shumë ta mbyllin me zero tituj.
Inzagi kishte bërë një rotacion thuajse të plotë, por ndaj Komos e zgjidhën shumë thjesht. De Vraj me kokë në minutën e 21 kaloi Interin në avantazh. Në fundin e pjesës së parë, portieri Reina u ndëshkua me karton të kuq duke lënë Komon me 10 lojtarë.
Me fillimin e pjesës së dytë ishte Korrea që realizoi golin e dytë, por në të njëjtën kohë realizoi edhe Napoli, duke e bërë nul këtë sukses të Interit që e mbyll sezonin e rregullt në vendin e dytë. Në sytë e të gjithë lojtarëve ishte i dukshëm trishtimi, por tani nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të bëjnë gjithçka për të fituar përballë PSG më 31 maj në Mynih, fakt që e pranon edhe Kristjan Asllani, me mesfushorin kuqezi që zhvilloi 90 minuta të plota në këtë takim:
“Sigurisht që ky fund na lë një shije të hidhur, por tani kemi përpara ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Duhet ta përgatisim mirë dhe të shkojmë atje për të fituar. Champions është kupa më e rëndësishme nga të gjitha, duhet të mendojmë se si të kthehemi nga Mynihu të gëzuar, jo të trishtuar si sot. Si mund ta përshkruaj këtë sezon? Deri tani mendoj se ka qenë një rrugëtim me ulje dhe ngritje, e dimë shumë mirë atë që ndodhi në Arabi ndaj Milanit. Kishte një sulm ndaj meje, por nuk ka problem. Nuk është e lehtë të luash herë pas here, por jam i lumtur për rrugëtimin tim, është i rëndësishëm ai i ekipit. Tani ka shumë për të bërë, ka shumë trishtim, ka një ndeshje shumë të rëndësishme që duhet fituar tani, duhet ta sjellim në Milano Champions League”, u shpreh Asllani pas ndeshjes.
Lini një Përgjigje