Qyteti i Napolit shpërtheu në festë mbrëmjen e djeshme, pas fitores 2-0 kundër Cagliarit në stadiumin “Diego Armando Maradona”, e cila zyrtarisht kurorëzoi Napolin kampion të Serie A për herë të katërt në histori. Nën drejtimin e trajnerit Antonio Conte, skuadra napolitane siguroi titullin me një pikë avantazh ndaj Interit, duke shkaktuar një valë entuziazmi të paparë mes tifozëve.
Ndeshja vendimtare, e luajtur të premten në orën 20:45, pa një performancë të shkëlqyer nga Scott McTominay, i cili hapi rezultatin me një gol akrobatik në fund të pjesës së parë, dhe Romelu Lukaku, i cili vulosi fitoren në fraksionin e dytë. Interi, pavarësisht fitores 2-0 ndaj Comos, mbeti në vendin e dytë, duke e lënë Napolin të festojë një triumf historik.
Që në momentin kur u njoftua fitorja, rrugët e Napolit u mbushën me mijëra tifozë të veshur me ngjyrat e kaltër, të cilët ndezën fishekzjarre dhe kënduan himnet e klubit deri në orët e para të mëngjesit.
Sipas mediave italiane, mbi 400,000 tifozë kishin kërkuar bileta për ndeshjen në “Maradona”, por stadiumi me kapacitet 55,000 vende nuk mundi të përmbushte kërkesën e jashtëzakonshme. Tifozët që nuk siguruan dot bileta u mblodhën jashtë stadiumit dhe në sheshet kryesore të qytetit, duke krijuar një atmosferë elektrizuese.
Një moment i paharrueshëm ndodhi gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes, kur kapiteni i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, ndërpreu trajnerin Conte për të nisur një këngë kampionësh. Të dy, bashkë me gazetarët dhe stafin, e kthyen sallën në një festë të vërtetë, duke treguar unitetin dhe emocionin që mbizotëronte në skuadër. Rrahmani, i cili fitoi titullin e dytë me Napolin pas atij të 2022-23, u bë viral në rrjetet sociale për këtë gjest.
Këshilli Bashkiak i Napolit kishte nisur përgatitjet për festën që javë më parë, me një buxhet prej 500,000 eurosh për një paradë spektakolare. Plani përfshin një itinerar 2.5 kilometra përgjatë bregdetit napoletan, me dy autobusë të hapur që do të transportojnë skuadrën. Katër ekrane gjigante janë vendosur në sheshet kryesore të qytetit për tifozët që nuk mund të ndjekin paradën nga afër, ndërsa ceremonia pritet të fillojë me mbërritjen e skuadrës nga deti, në skelën e Mergellinës. E hëna është caktuar si dita e mundshme për këtë ngjarje të madhe, që pritet të mbledhë qindra mijëra tifozë.
Postimet në rrjetet sociale, si ai i llogarisë zyrtare të Napolit (@sscnapoli), falënderuan mbi 1 milion tifozë për mbështetjen e tyre, me pamje të festimeve që pushtuan platformat online.
Me 24 fitore, 10 barazime dhe vetëm 4 humbje, Napoli i Contes tregoi një forcë të jashtëzakonshme gjatë sezonit 2024-25. Kontributet e lojtarëve si McTominay (11 gola), Angisa (6 gola), dhe Lukaku ishin vendimtare, ndërsa prania e Amir Rrahmanit në mbrojtje forcoi themelet e ekipit. Tifozët tashmë po ëndërrojnë për suksese të mëtejshme, me shpresën se ky titull është vetëm fillimi i një epoke të re dominimi
Lini një Përgjigje