
Marash Kumbulla po riaftësohet ende nga dëmtimi që pësoi në sezonin e kaluar me Romën. Një dëmtim që e ka bërë të qendrojë larg fushave të lojës për një periudhë të gjatë, por ai vazhdon ta ndjejë veten pjesë të projektit të Romës dhe pret me padurim të kthehet në fushë, siç ka shpjeguar menaxheri i tij, Xhani Vitale, për “Radio Sportiva”.
“Po nis sezonin e katërt si verdhekuq, te Roma ndjehet mirë me të gjithë, me shokët e skuadrës, me klubin e deri te trajneri. Ndjehet pjesë përbërëse e projektit, ekzistojnë të gjitha kushtet për ta nisur mirë.
Duhet të them që pas këtij dëmtimi të fundit e shoh edhe më të vendosur, të bindur dhe të përqendruar. Rikuperimi po ecën mjaft mirë falë punës së të gjithëve. Po bën gjërat mirë, bashkë me stafin.
Është absolutisht stimuluese të punosh bashkë me Murinjon. Mes shumë cilësive që ka, ai pretendon që ti të jesh gati mendërisht dhe teknikisht, nuk i dhuron asgjë askujt dhe kjo nuk bën asgjë tjetër veçse përmirëson një atlet i cili ka prirje për të ndjekur këtë mënyrë të jetuari të futbollit. Ka qenë padyshim një eksperiencë formuese për Marashin”, tha menaxheri i futbollistit shqiptar.
Lini një Përgjigje