
Një nga ndeshjet më tërheqëse të sezonit, përballja mes Realit të Madridit dhe Bajernit të Mynihut në “Santiago Bernabéu”, ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të tifozëve, por edhe të figurave të njohura të futbollit europian.
Mes tyre ishte edhe ish-kapiteni i Juventusit, Alesandro Del Piero, i cili e ndoqi ndeshjen nga afër dhe ndau përshtypjet e tij në studiot e “Sky”. Ai u shpreh i impresionuar nga niveli i lojës dhe atmosfera në stadium, duke e cilësuar përballjen si një eksperiencë të veçantë.
“Po largohem me një buzëqeshje të trishtë. Pamë një ndeshje të jashtëzakonshme. Në stadium ndihesh pjesë e gjithçkaje; edhe rreth 4 mijë tifozët e Bajernit nuk ndalën së kënduari. ‘Bernabéu’ shpërtheu në disa momente, veçanërisht te goli i 2-1, ku nga fishkëllimat kaloi në një festë të vërtetë”, u shpreh Del Piero.
Megjithatë, krahas vlerësimeve pozitive, ai ngriti edhe shqetësimin për nivelin aktual të futbollit italian. Sipas tij, kjo ndeshje ishte një shembull i standardeve të larta që ende mungojnë në Itali.
“Është e vështirë të mos ndjesh keqardhje kur mendon se klubet italiane janë ende larg këtyre niveleve. Nuk jemi më pjesë e kësaj faze të Champions League dhe nuk kemi arritur ende këtë standard”, deklaroi ai.
Në përfundim, Del Piero përcolli një mesazh që përzien optimizmin me realizmin, duke shpresuar në rikthimin e klubeve italiane në elitën e futbollit europian: “Një buzëqeshje për këtë mbrëmje fantastike, pak trishtim, por edhe shpresë që së shpejti të rikthehemi në këto nivele”.
Lini një Përgjigje