Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për një nga rojet private të arrestuara pas përplasjeve me protestuesit në Zvërnec.
Apeli vendosi që Gazmend Vathi të lirohet nga paraburgimi dhe të hetohet në masën "arrest shtëpie", duke ndryshuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Vlorës, e cila kishte caktuar ndaj tij masën "arrest me burg". Ndërkohë, për Artur Granin, gjykata la në fuqi masën e arrestit me burg.
Po ashtu, gjatë pasdites është marrë në shqyrtim edhe ankimi i Geraldo Bibës, pronarit të kompanisë së sigurisë private "Major Security", i cili gjithashtu kundërshton masën e sigurisë të caktuar ndaj tij.
Ngjarja për të cilën po hetohen rojet private ndodhi më 31 maj në zonën e Zvërnecit, ku banorë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile protestuan kundër punimeve për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e Zvërnecit.
Gjatë protestës pati përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të kompanisë private të sigurisë. Pamjet e publikuara në media treguan momente dhune, ku një protestues u tërhoq zvarrë.
Pas ngjarjes, Prokuroria nisi hetimet dhe u lëshuan masa sigurie për disa punonjës të kompanisë private, të dyshuar për ushtrim dhune ndaj qytetarëve, gjithashtu u shkarkua edhe zinxhiri drejtues i Policisw sw Vlorws.
Lini një Përgjigje