
Favoritët kërkonin fitore dhe arritën të regjistronin 3 pikët.
Gjermania dhe Hungaria nuk kanë zhgënjyer në xhiron e katërt të fazës së grupeve, të Ligës së Kombeve, me “Pancerat” që mundën në shtëpi Holandën, ndërsa hungarezët triumfuan në transfertën boshnjake.
Kështu, në “Allianz Arena” të Mynihut mjaftoi vetëm një gol i “fantazistit” të Shtutgartit, Jamel Leveling për të siguruar fitoren e madhe, me djemtë e Julian Nagelsman që e mbyllën sfidën në shifrat 1-0.
Në krahun tjetër, “ylli” i Liverpulit, Dominik Shoboslai ishte protagonisti absolut në fitoren e Hungarisë, në “Bilino Polje”, të Zenicës ndaj përfaqësueses së Bosnje Hercegovinës, duke shënuar të dy golat në triumfin 2-0, fillimisht në minutën e 38 falë një pasimi të Nagi e më pas në minutën e 50 pas ekzekutimit perfekt të një 11-metërshi.
Falë këtyre rezultateve, Gjermania ngjitet në kuotën e 10 pikëve dhe vijon të mbetet në vendin e parë të Grupit A3 e ndjekur nga Holanda me 5 pikë dhe Hungaria, po me 5 pikë, ndërsa në vendin e fundit është Bosnje Hercegovina me vetëm 1 pikë.
Italia nuk hasi vështirësi ndaj Izraelit, teksa fitoi 4-1. Franca mundi 1-2 Belgjikën, me dopietën e Kolo Muani. Goli i Opendas për “djajtë” shërbeu vetëm për statistikë.
Barazim 1-1 mes Çekisë dhe Ukrainës. Çekët ishin ata që kaluan të parët në avantazh që në minutën e 18 të sfidës. Cerv ishte protagonisti, i cili shënoi golin e parë të sfidës. Në fundin e pjesës së parë, Çekisë iu anullua një gol i shënuar nga Vitik për pozicion të parregullt.
Me nisjen e pjesës së dytë Ukraina u bë më kërkuese. Ata gjetën golin në minutën e 53, duke rikthyer baraspeshën në këtë sfidë. Ishte bomberi i Romës, Dovbik, i cili ktheu në gol një penallti.
Me këtë barazim Çekia shkon në kuotën e 7 pikë dhe në vendin e parë në Grupin 1, duke lënë pas Gjeorgjinë dhe Shqipërinë me nga 6 pikë. Në krahun tjetër, Ukraina mbetet e fundit me 4 pikë të grumbulluara.
Lini një Përgjigje