
Futbollisti i njohur kroat, Luka Modriç fitoi gjyqin ndaj shtetit të Spanjës. Ai do të pasurohet me 3.6 milionë euro dhe për këtë fitore luftoi me vite.
Vendimi në favor të mesfushorit kroat u dha nga Gjykata Ekonomike dhe Administrative në Madrid, e cila vendosi që autoritetet tatimore spanjolle e kanë dëmtuar ndjeshëm mesfushorin e Realit të Madridit më shumë se dhjetë vite më parë.
Kontestohet viti 2012, gjatë të cilit Modriç kaloi nga Totenhemi te Reali i Madridit dhe autoritetet i “prenë” një shumë të tepërt parash në fund të vitit.
Ata e ngarkuan me taksa duke u bërë sikur të kishte kaluar gjithë vitin në Spanjë dhe ai kishte qenë anëtar i Realit të Madridit vetëm në fund gushtit.
Sipas “El Mundo”, është konstatuar se tatim-mbledhësit i kanë mbledhur tatimin Modriçit në shuma të veçanta prej 1.2 dhe 1.5 milionë euro, përveç kësaj e kanë gjobitur me 900.000 euro dhe tani duhet t’i kthejnë gjithsej 3.6 milionë euro.
Administrata tatimore spanjolle u mbrojt duke pretenduar se, edhe pse Modriç ishte në Madrid vetëm katër nga dymbëdhjetë muajt e mundshëm, ai e realizonte pjesën më të madhe të të ardhurave në tokën e këtij vendi, por ky nuk ishte një argument që kaloi në gjykatë.
Ligji ishte në anën e Modriçit sepse thotë se një banor në Spanjë konsiderohet një person që jeton në vend për 183 ditë, dhe Modriç kaloi 127 ditë atje në vitin 2012.
Lini një Përgjigje