TAGS-AT E JAVËS

Sport17 Qershor 2026, 18:18

“Luzhniki” apo “Wembley”? Anglia kërkon statusin e pretendentes, Kroacia ëndërron një tjetër histori suksesi me Modriç në Botërorin e tij të pestë

Shkruar nga Pamfleti
“Luzhniki” apo “Wembley”? Anglia kërkon statusin e
Luka Modriç

Nuk është ende një klasike europiane, por përballjet mes Anglisë dhe Kroacisë në këtë shekull janë shndërruar në ndeshje me peshë të veçantë. Disa prej tyre kanë vendosur fatin e kualifikueseve dhe të turneve madhorë, si eliminimi i Anglisë nga “EURO 2008” apo sfidat vendimtare në Kampionatet Botërore dhe Europiane.

Tani vjen një kapitull i ri. Në stadiumin “AT&T” në Dallas, Anglia dhe Kroacia do të përballen në ndeshjen hapëse të Grupit L, një nga sfidat më të spikatura të raundit të parë të Botërorit.

Të dyja skuadrat kërkojnë të përsërisin sukseset e fundit ndaj njëra-tjetrës. Anglia kujton fitoren 1-0 në Wembley në nisje të “EURO 2020”, ndërsa Kroacia triumfin historik 2-1 në gjysmëfinalen e Botërorit 2018 në stadiumin “Luzhniki” të Moskës.

A ka gjetur Tuhel formacionin ideal?

Pas viteve të mbushura me zhgënjime dhe rezultate nën pritshmëri, Anglia është rikthyer mes kombëtareve më të forta në botë. Ajo arriti në gjysmëfinalen e Botërorit 2018 dhe luajti në finalet e “EURO 2020” dhe “EURO 2024”.

Objektivi i radhës është edhe më i madh: fitimi i titullit botëror, një sukses që Anglia e ka arritur vetëm një herë, në vitin e largët 1966.

Në këtë mision, skuadrën e drejton trajneri gjerman Tomas Tuhel, i cili ka treguar se përzgjedhjet e tij bazohen mbi formën dhe jo mbi emrin. Kol Palmer, Trent Aleksandër-Arnold dhe Fil Foden nuk zhvilluan sezonin më të mirë dhe mbetën jashtë listës për turneun në SHBA.

Tuhel ka zgjedhur 26 lojtarët te të cilët beson, ndërsa ndeshja ndaj Kroacisë mund të japë sinjalet e para nëse ai ka ndërtuar formacionin ideal.

Gjëja që e bën këtë grup të veçantë është uniteti. Në një turne do të ketë momente të vështira dhe jo gjithçka do të shkojë sipas planit. Atëherë duhet të tregojmë karakter. Sa më i bashkuar të jetë grupi, aq më lehtë kapërcehen vështirësitë”, deklaroi Xhordan Henderson, ish-kapiteni legjendar i Liverpulit, i cili mbush 36 vjeç ditën e ndeshjes.

Mesfushori anglez theksoi se starti i mirë mund të ketë rëndësi të madhe:

E rëndësishme është ta nisim si duhet dhe t’i tregojmë botës se sa të fortë mund të jemi.”

Për këtë ndeshje mbetet në dyshim aktivizimi i Bukayo Saka, ndërsa Entoni Gordon pritet të ketë përparësi ndaj Markus Rashford në repartin ofensiv.

Botërori i pestë i Modriçit, Kroacia kërkon një tjetër sukses

Kroacia dhe Botërori kanë krijuar një lidhje të veçantë që nga viti 1998, kur skuadra e drejtuar nga Miroslav Blazheviç fitoi vendin e tretë. Brezat e rinj e ngritën edhe më lart nivelin e kombëtares, duke arritur finalen e Botërorit 2018 në Rusi dhe vendin e tretë në Katar më 2022.

Kroatët e dinë se rruga drejt një suksesi të ngjashëm është e vështirë, por besojnë se kanë ende një skuadër konkurruese të udhëhequr nga Luka Modriç.

Mesfushori legjendar do të nisë sonte Botërorin e tij të pestë. Nga kreativiteti dhe pasimet e tij do të varet në masë të madhe efikasiteti i sulmit kroat, ku spikasin Andrej Kramariç dhe Ante Budimir.

Sulmuesi i Osasunës ka realizuar 38 gola në dy sezonet e fundit në La Liga dhe synon të transferojë të njëjtën formë edhe te kombëtarja.

Dua të vazhdoj të shënoj edhe me Kroacinë. Synimi im është të kem të njëjtën vazhdimësi si në Spanjë. Kjo skuadër është disi ndryshe nga ajo e Katarit, por gjithmonë kemi lojtarë të rinj cilësorë që bashkohen me ekipin”, tha Budimir.

Megjithatë, ai vuri ekipin mbi objektivat personale.

Do ta pranoja menjëherë një përsëritje të Katarit, nëse skuadra luan mirë dhe arrin sukses, edhe nëse golat e mi nuk kanë rëndësi.”/"Vijesti", përshatti në shqip Pamfleti

Formacionet e mundshme

Anglia: Pikford –Xhejms, Stons, Guehi, O’Rilli – Anderson, Rajs – Belingam, Saka, Gordon – Kejn.

Kroacia: Livakoviç – Stanishiç, Shutalo, Vuskoviç, Gvardiol – Kovaçiç, Modriç – Mario Pashaliç, Perisiç, Kramariç – Budimir.

kroacia anglia kupa e botës

Lini një Përgjigje