
Interesi për të ndjekur nga afër Kupën e Botës së vitit 2026 është më i larti ndonjëherë. Deri tani, mbi 1.5 milionë tifozë nga 210 vende të ndryshme janë regjistruar për të marrë pjesë në fazën e parë të shitjes së biletave.
Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja tre vendet pritëse të turneut kryesojnë listën për nga numri i aplikimeve, të ndjekura nga tifozët e pasionuar në Argjentinë, Kolumbi, Brazil, Angli, Spanjë, Portugali dhe Gjermani. Shorti i parashitjes së biletave është hapi i parë për të siguruar një biletë për këtë ngjarje historike. Regjistrimi do të mbyllet më 19 shtator.
Të gjithë aplikuesit kanë shanse të barabarta për përzgjedhje, pavarësisht kohës së regjistrimit gjatë kësaj periudhe. Fituesit e përzgjedhur në mënyrë të rastësishme do të njoftohen me email duke filluar nga 29 shtatori, dhe do të marrin një datë dhe orar specifik për të kryer blerjen e biletave, në varësi të disponueshmërisë, teksa procesi i blerjes do të nisë më 1 tetor.
Tifozët do të mund të blejnë bileta për fazën e grupeve me çmime që nisin nga 60 dollarë. FIFA ka bërë të ditur se shitjet e biletave do të vazhdojnë në tetor, duke i dhënë më shumë mundësi tifozëve për të siguruar vendin e tyre në turneun më të madh të futbollit në botë.
Nëntë muaj nga ceremonia e hapëse e Botërorit janë kualifikuar 18 kombëtare nga 48 të cilat do të marrin pjesë. Përpos kombëtareve pritëse, në Botërorin e vitit të ardhshëm do jenë Argjentina, Ekuadori, Kolumbia, Uruguaji, Brazili dhe Paraguaji nga Amerika e Jugut. Irani, Uzbekistani, Jordania, Koreja e Jugut, Japonia dhe Australia nga Azia. Nga Afrika, Maroku dhe Tunizia, ndërsa Zelanda e Re përfaqëson Oqeaninë.
Uzbekistani dhe Jordania do debutojnë për herë të parë në një ngjarje të rëndësishme si ajo e Kupës së Botës.
Lini një Përgjigje