Ndërsa Meksika po pret një pjesë të ndeshjeve të Botërorit 2026, mijëra njerëz, kryesisht gra, po organizojnë protesta pranë stadiumeve për të tërhequr vëmendjen ndaj një prej krizave më të rënda humanitare të vendit: zhdukjes së më shumë se 135 mijë personave, kryesisht nga kartelet e drogës.
Tre stadiumet meksikane që do të presin ndeshjet e Botërorit kanë një kapacitet total prej mbi 184 mijë spektatorësh. Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave zyrtare, numri i personave të zhdukur në Meksikë ka arritur në 134.845.
Kjo do të thotë se të zhdukurit e vendit mund të mbushnin të vetëm Stadiumin Azteca në ndeshjen hapëse dhe do të kishte ende një turmë të madhe jashtë tij. Edith Olivares Ferreto, drejtoreshë ekzekutive e Amnesty International në Meksikë, thotë se “ka më shumë persona të zhdukur sesa njerëz që ndoqën ndeshjen hapëse të këtij Botërori”.
Pikërisht për këtë arsye, organizatat e familjarëve të të zhdukurve kanë vendosur të shfrytëzojnë vëmendjen globale që sjell eventi sportiv për të thyer heshtjen rreth një problemi që prej vitesh ka alarmuar edhe organizmat ndërkombëtarë.
Në Mexico City, gjatë ndeshjes hapëse në Stadiumin Azteca, marshuan mijëra familjarë të personave të zhdukur. Shumë prej tyre besojnë se të afërmit e tyre janë rrëmbyer me forcë nga kartelet e drogës, janë rekrutuar kundër vullnetit të tyre ose janë vrarë pasi kanë kundërshtuar grupet kriminale.
Javët e fundit, pranë stadiumit janë vendosur postera me fotografitë e të zhdukurve. Në mesin e simbolikës së protestës është shfaqur edhe “Ajolote Buscador”, një maskot ngjyrë rozë që mban në dorë një lopatë.
Kjo salamandër, e njohur për aftësinë e saj të rigjenerimit, është kthyer në simbol të qëndresës së familjeve që vazhdojnë kërkimet pavarësisht viteve të gjata të pritjes dhe mungesës së përgjigjeve.
Lopata përfaqëson mjetin që shumë familjarë përdorin për të kërkuar trupa në varreza të fshehta, shpeshherë pa ndihmën e autoriteteve. Në shtetin Jalisco, një nga zonat më të goditura nga zhdukjet, shoqata “Luz de Esperanza” ka zhvilluar një fushatë të veçantë.
Anëtarët e saj kanë transformuar posterat e kërkimit në figura të ngjashme me ato të albumit zyrtar të Botërorit. Në vend të futbollistëve të kombëtares meksikane, figurat paraqesin persona të zhdukur, me emrat dhe historitë e tyre.
Këto materiale janë vendosur pranë zonave turistike dhe aktiviteteve të lidhura me FIFA-n në Guadalajara. Aktivistët nuk janë kundër zhvillimit të Botërorit, por kritikojnë prioritetet e autoriteteve lokale.
Sipas tyre, miliona peso janë investuar për organizimin e ndeshjeve, ndërsa kriza e zhdukjeve vazhdon të trajtohet me mungesë fondesh dhe vullneti politik. Jalisco konsiderohet një nga qendrat kryesore të krimit të organizuar në Meksikë dhe mban një nga numrat më të lartë të rasteve të zhdukjeve të detyruara në vend.
Kritika të forta ka ngjallur edhe plani kombëtar i sigurisë për Botërorin. Autoritetet kanë hartuar një strategji të quajtur “Kukulkán”, e cila parashikon angazhimin e rreth 100 mijë punonjësve të policisë, ushtrisë dhe sigurisë private, të mbështetur nga sisteme të avancuara monitorimi dhe mbikëqyrjeje.
Qëllimi është garantimi i sigurisë së turneut dhe parandalimi i dhunës së karteleve.
Megjithatë, për familjet e të zhdukurve, ky mobilizim masiv tregon kontrastin mes burimeve që shteti është në gjendje të vendosë në dispozicion për një ngjarje sportive dhe mungesës së rezultateve në kërkimin e qytetarëve të zhdukur.
Në fillim të vitit, në Jalisco u zbuluan qindra mbetje njerëzore në varre masive. Gjetjet nuk erdhën si rezultat i operacioneve shtetërore, por falë punës së kolektivëve të familjarëve, të cilët vazhdojnë të kërkojnë në terren me forcat e tyre.
Edhe organizata FUNDENL në Nuevo León ka përdorur simbolikën e futbollit për të tërhequr vëmendjen. Ajo prezantoi një “kombëtare meksikane” të përbërë nga 21 persona të zhdukur, secili me emrin, numrin dhe datën e zhdukjes të stampuar në fanellë.
Vetëm gjatë vitit 2026, në këtë shtet janë raportuar 367 zhdukje, ndërsa 262 persona vazhdojnë të rezultojnë të humbur. Së fundmi, organizata denoncoi përpjekjen e autoriteteve lokale për të mbuluar fotografitë e të zhdukurve në sheshin e dedikuar kujtimit të tyre në Monterrey.
Sipas aktivistëve, posterat u fshehën pas vazove të mëdha dekorative. Në shenjë proteste, familjarët ngjitën fotografitë drejtpërdrejt mbi vazot dhe i treguan simbolikisht “kartonin e kuq” qeverisë lokale për dështimet në hetime.
Kriza e zhdukjeve në Meksikë ka kaluar prej kohësh kufijtë kombëtarë. Në prill, Komiteti i OKB-së për Zhdukjet e Detyruara aktivizoi një procedurë emergjente dhe kërkoi që situata në Meksikë të diskutohej në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas ekspertëve të OKB-së, zhdukjet nuk përbëjnë më raste të izoluara, por një fenomen të përhapur dhe sistematik që mund të klasifikohet si krim kundër njerëzimit.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, i ka kundërshtuar këto vlerësime.
Ajo argumenton se përgjegjësia kryesore bie mbi kartelet e drogës dhe grupet kriminale e jo mbi shtetin. Megjithatë, OKB-ja ka theksuar se ekzistojnë indicie për raste ku zyrtarë publikë ose pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë toleruar ose lehtësuar veprimtarinë e grupeve kriminale.
Përballë kësaj situate, organizmat ndërkombëtarë kanë kërkuar më shumë mbështetje për identifikimin e mbetjeve njerëzore, hartëzimin e varreve masive dhe hetimin e lidhjeve të mundshme mes politikës dhe narkotrafikut.
Aktualisht, vlerësohet se mbi 70 mijë trupa të paidentifikuar ndodhen në kujdestarinë e institucioneve shtetërore. Në qendër të kësaj beteje qëndrojnë të ashtuquajturat “madres buscadoras”, nënat kërkuese.
Ato organizojnë ekspedita, kontrollojnë terrene të dyshimta, vizitojnë morgje dhe depërtojnë deri në zona të kontrolluara nga kartelet për të gjetur gjurmë të të afërmve të tyre. Sipas një raporti të Amnesty International për vitin 2025, 97 për qind e grave të angazhuara në kërkime kanë përjetuar forma të ndryshme dhune.
Kërcënimet, zhvatjet, sulmet fizike, zhvendosjet e detyruara, torturat, rrëmbimet dhe dhuna seksuale janë pjesë e realitetit me të cilin ato përballen. Gjatë viteve 2019-2024 janë vrarë 16 aktivistë të angazhuar në kërkimin e të zhdukurve, 13 prej tyre
gra. Shumë prej tyre humbën jetën duke kërkuar të vërtetën për fatin e familjarëve të tyre.
Përveç rrezikut fizik, këto gra përballen edhe me stigmën sociale. Shumë prej tyre ndihen të braktisura nga autoritetet dhe të izoluara nga komunitetet ku jetojnë. Problemet ekonomike dhe shëndetësore janë gjithashtu të shumta.
Raportet tregojnë se rreth 70 për qind e tyre vuajnë nga probleme serioze fizike dhe psikologjike si pasojë e stresit dhe viteve të gjata të kërkimit. Mosbesimi ndaj institucioneve mbetet shumë i lartë. Vetëm një pjesë e vogël e grave raportojnë sulmet që pësojnë gjatë kërkimeve, pasi besojnë se autoritetet nuk janë në gjendje ose nuk duan t’i mbrojnë.
Në shumë raste, familjarët vazhdojnë të përballen me praktikën e paligjshme të pritjes 72 orë para se të nisin zyrtarisht kërkimet për një person të zhdukur, edhe pse ligji kërkon veprimin e menjëhershëm.
Ndërsa vëmendja e botës përqendrohet te stadiumet, ndeshjet dhe festa e futbollit, familjet e personave të zhdukur kërkojnë që qeveria meksikane të pranojë ndihmën ndërkombëtare dhe të trajtojë krizën me seriozitetin që meriton.
Për to, Botërori nuk është vetëm një festë sportive, por edhe një mundësi për t’i kujtuar botës se mijëra njerëz vazhdojnë të mungojnë dhe se kërkimi për ta nuk ka përfunduar./Përshtati "Pamfleti" nga Insideover.com
Lini një Përgjigje