TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Dhjetor 2025, 16:14

Messi shkruan historinë në Amerikë: Inter Miami kampion për herë të parë në MLS

Shkruar nga Pamfleti

Messi shkruan historinë në Amerikë: Inter Miami kampion për

Futbolli amerikan përjetoi një moment që do të mbetet në histori. Me një fitore 3-1 ndaj Vancouver, Inter Miami u shpall kampion i Major League Soccer (MLS) për herë të parë që nga themelimi i klubit. Dhe në qendër të këtij suksesi është një emër që nuk ka nevojë për prezantim: Lionel Messi.

Ky nuk është thjesht një titull kampion. Është finalizimi i “projektit Messi”, i konceptuar nga David Beckham dhe drejtuesit e klubit si një projekt strategjik për të futur Inter Miami në elitën e futbollit botëror, dhe për të ndërtuar një lidhje të re mes Amerikës dhe një prej yjeve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Finalja ndaj Vancouver nisi me fat për Inter Miami-n, që kaloi në avantazh pas një autogoli. Më pas, De Paul realizoi të dytin pas një asistimi të Messit, ndërsa goli i tretë erdhi në minutën e 91-të, me Allende që përfitoi nga asistimi i dytë i argjentinasit për të mbyllur gjithçka.

Festa shpërtheu në stadium, ku përveç Messit, edhe Jordi Alba dhe Sergio Busquets, dy ish-yjet e Barcelonës, përfunduan karrierën me këtë trofe, në mënyrën më dinjitoze dhe simbolike të mundshme.

Në moshën 38-vjeçare, Messi e mbylli sezonin si golashënuesi më i mirë në MLS me 35 gola, ndërsa në fazën play-off shtoi edhe 6 gola të tjerë. Në total, ky është trofeu i 48-të në karrierën e tij, një rekord i ri absolut në historinë e futbollit.

Ky triumf konfirmon jo vetëm statusin e tij si një ikonë globale, por dhe faktin se futbolli amerikan ka hyrë në një epokë të re, ku yjet nuk vijnë vetëm për të mbyllur karrierën, por për të fituar, ndërtuar dhe ndikuar realisht.

Lini një Përgjigje