
Pritej të ishte një ndeshje feste, një fillim i mbarë sezoni, por rezultoi shumë ndryshe. Në një “San Siro” të tejmbushur plot, Milani është mundur 1-2 nga Kremoneze në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Serinë A. Ekipi i ardhur nga Seria B, bëri një paraqitje fantastike dhe tregoi me shumë dëshirë dhe vullnet për të fituar ndeshjen. Maks Alegri ka ende shumë punë për të bërë te Milani.
Miqtë gjetën golin në minutën e 27 me Federico Bashiroto, i cili mposhti me kokë Majk Menjo, pas krosimit perfekt të Alesio Zerbin. Në fundin e pjesës së parë, në kohën shtesë, Milani barazoi shifrat me Strhinja Pavloviç. Mbrojtësi serb shënoi me kokë pas krosimit të Pervis Estupinan. Pjesa e parë u mbyll 1-1.
Pjesa e dytë foli sërish për miqtë, edhe pse pritej e kundërta. Në minutën e 60, Bonacoli shënoi një supergol me gjysmë-rroveshatë, duke dërguar topin për herë të dytë në rrjetën e Menjo. Pavarësisht zëvendësimeve të kryera nga Maks Alegri, asgjë nuk ndryshoi. Rezultati përfundimtar, Milan-Kremoneze 1-2.
Në sfidën tjetër të luajtur në “Olimpico”, Roma e drejtuar nga Xhan Piero Gasperini e nis me këmbë të mbarë, pas fitores 1-0 ndaj Bolonjës. Goli i vetëm i takimit u shënua nga uesli França në minutën e 52, i cili shënoi duke përfituar nga një mos kuptim mes tyre i mbrojtësve miq.
Lini një Përgjigje