
Arsenali ka fituar 5-0 ndaj Lids Junajtid në sfidën e luajtur në “Emirates”, e vlefshme për javën e dytë të Premier Ligës. “Topçinjtë” e mbyllën pjesën e parë në avantazh të dyfishtë, falë golave të Jurrien Timber në minutën e 34, i cili shënoi me kokë pas krosimit të Deklan Rajs nga goditja e këndit dhe Bukajo Saka në minutën e 45+1′, falë asistit të Timber.
Në fillimin e pjesës së dytë, Arsenali shënoi dhe dy gola të tjerë. Në minutën e 48, Viktor Giokeres shënoi golin e parë me fanelën e “Topçinjve”. Pasi mori një top nga Rikardo Kalafiori, depërtoi bukur nga krahu brenda në zonë, kaloi mbrojtësit kundërshtarë dhe dërgoi topin në rrjetë. Një gol shumë i bukur nga suedezi.
Në minutën e 56, Jurrien Timber shënoi golin e katërt për Arsenalin dhe të dytin personal, sërish pas topit të ardhur nga goditja e këndit dhe rrëmujës së krijuar në zonë. Në minutat e fundit shtesë, Viktor Giokeres shënoi golin e dytë personal dhe të pestin për Arsenalin. Suedezi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Arsenali merr vendin e parë në Premier Ligës me 6 pikë të plota, aq sa ka dhe Totenhemi, që renditet i dyti.
Pavarësisht fitores bindëse, Mikel Arteta mori dy goditje të mëdha nga ky takim, siç ishin dëmtimet e Martin Odegard në pjesën e parë dhe të Bukajo Saka në pjesën e dytë. Në orët në vijim, pritet të mësohet më shumë rreth dëmtimit të dy lojtarëve dhe sa kohë do mungojnë ata. Vlen për t’u përmendur edhe debutimi në Premier Ligë i 15-vjeçarit, Maks Daunmen në vend të Noni Madueke.
Lini një Përgjigje