
Partizani do të luajë të martën ndeshjen e parë në Ligën e Kampioneve kundër BATE Borisov, teksa për këtë sfidë, të kuqtë kanë dorëzuar në UEFA edhe listën e lojtarëve të cilët do të jenë pjesë e skuadrës.

Në listën me 22 lojtarë që vetë UEFA ka publikuar në sajtin zyrtar, bie në sy mungesa e portierit Bekim Rexhepi, i cili sezonin e fundit ishte titullar me të kuqtë, duke fituar edhe titullin kampion. Një tjetër mungesë e ditur, ishte edhe ajo e Masanga Matondos, i cili nuk është rikthyer ende në skuadër.

Surprizë mund të konsiderohet mungesa e Gjelbrim Taipit. Ish-kapiteni i Kukësit firmosi ditën e djeshme me të kuqtë, megjithatë mungon në listë. Nuk dihet ende nëse është vendim i Partizanit për të lënë jashtë Taipin apo është vonesë në federimin e tij dhe që mund të dorëzohet në një moment të dytë.

Lini një Përgjigje