Prokuroria e Milanos po shqyrton mundësinë për të hapur një hetim lidhur me një ndeshje të Serisë A të sezonit 2024-2025, konkretisht përballjen mes Interit dhe Romës. Ndeshja në fjalë konsiderohet si një nga momentet kyçe të kampionatit që në fund u fitua nga Napoli.
Në qendër të vëmendjes është një episod i dyshimtë gjatë ndeshjes, që lidhet me një kontakt të mundshëm faulli të Ndika ndaj Bishek. Në atë rast, sistemi VAR nuk ndërhyri, duke kryer vetëm një kontroll të shpejtë pa ndryshuar vendimin në fushë.
Sipas raportimit të “La Repubblica”, ndërhyrja në dhomën VAR mund të jetë ndikuar nga ish-arbitri Gervasoni, i cili thuhet se ka hyrë në ambientet e VAR-it në atë moment. Ndërkohë, asistenti i VAR-it, Piçinini, kishte shprehur dyshime për episodin dhe ia kishte sinjalizuar situatën Di Belos, që ndodhej para monitorit. Arbitër kryesor në fushë ishte Fabri.
Sipas të njëjtit burim, Di Belo dyshohet se i ka kërkuar Piçininit të mos ndërhyjë më tej, me një reagim verbal që nuk është dëgjuar në audion zyrtare të publikuar në emisionin “Open VAR”. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën e komunikimeve gjatë asaj faze të lojës.
Këto pretendime janë sinjalizuar edhe nga Domeniko Roça, si dhe nga një tjetër ish-arbitër, të cilët kanë raportuar në Prokurori mbi atë që pretendohet të ketë ndodhur në stadiumin “San Siro”.
Gjithmonë sipas “La Repubblica”, prokurorët e Milanos po shqyrtojnë mundësinë për të marrë në dorëzim materialet origjinale audio dhe video të atyre minutave, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të mundshme.
Mbetet ende e paqartë nëse Gervasoni do të thirret për t’u marrë në pyetje në lidhje me këtë episod gjatë procedurave hetimore.
Lini një Përgjigje