
Ndërsa kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi i sezonit në Premier Ligë, Bërnli ka vulosur matematikisht rënien nga elita e futbollit anglez, duke konfirmuar një sezon zhgënjyes për klubin.
Në këto kushte, drejtuesit e klubit kanë nisur menjëherë lëvizjet për rindërtimin e skuadrës. Sipas raportimeve të “The Herald”, në krye të listës për të zëvendësuar trajnerin Skot Parker është vendosur Stivën Xherrard.
Ish-kapiteni i Liverpulit, është aktualisht pa skuadër që prej janarit 2025, pas përfundimit të aventurës së tij me Al-Etifak në Arabinë Saudite. Bordi i Bërnlit synon një reformë të thellë në strukturë dhe drejtim, duke e konsideruar 45-vjeçarin si një trajner me eksperiencën e duhur për të rikthyer ekipin në Premier Ligë.

Një emërim i mundshëm i Xherrard mund të ndikojë edhe te sulmuesi shqiptar Armando Broja. Duke qenë i njohur për marrëdhëniet e mira me lojtarët, trajneri anglez mund t’i japë më shumë hapësira dhe rol protagonisti Brojës, ndryshe nga sa ka ndodhur nën drejtimin e Parker.
Në sezonin 2026-2027, Bërnli do të garojë në Championship, ku pjesë e skuadrës do të jetë edhe Broja, i cili ka kontratë me klubin deri në verën e vitit 2030.
Lini një Përgjigje