
Është i ri, por një nga shtyllat e ekipit. Strahinja Pavloviç përfaqëson të tashmen dhe të ardhmen e kombëtares së Serbisë, ndërsa vëmendja e tij është e përqendruar, përveçse te sezoni me Milanin, edhe tek eliminatoret e Kupës së Botës.
Ekipi përfaqësues ballkanas do ta nisë këtë edicion pikërisht në Shqipëri përballë kuqezinjve, sfida e parë që pas atyre të paharruarave më 2014 e 2015, në eliminatoret e Kampionatit Europian.
Qendërmbrojtësi 23-vjeçar komentoi duelin në “Arenën Kombëtare” në Tiranë më 7 qershor, në intervistën për të përditshmen kryesore sportive të Beogradit, “Sportski Zhurnal”, dhe u tregua edhe vlerësues, por edhe optimist.
“Ndeshja e parë jashtë fushe është tepër e rëndësishme. Nuk do të jetë aspak e lehtë. Askush nuk e ka mundur me lojë Shqipërinë në Europian, ashtu si dhe në eliminatore. Shqipëria luan shumë fort, por mundemi që të fitojmë dhe të fitojmë një epërsi pas ndeshjes së parë”.
Në të njëjtën intervistë, Pavloviç deklaron se kombëtarja serbe ka potencial për të sfiduar favoriten e grupit tonë, Anglinë, për të siguruar kualifikimin direkt për në Botëror.
Si provë, ai kujton ndeshjen në grup në finalet e Europianit në Gjermani, ku “tre luanët” fituan 1-0, por Serbia luajti më mirë në pjesën e dytë.
Lini një Përgjigje