
Një klub italian në Grupin A të Serisë D, po bën bujë me afrimet që po bën. Sanremeze ka ambicie të mëdha që të bëhet një emër i njohur në Itali dhe këtë vit në radhët e saj do të luajnë emra të njohur si Del Piero, Zhorkaef e Gatuzo. Jo pikërisht ata që njihni ju, por fëmijët apo kushërinjtë e tyre.
Më i fundit është Tobias Del Piero, djali i legjendës Aleks Del Piero, i cili në moshën 17-vjeçare do të provojë këtë eksperiencë të re. Një fantazist si i ati, por ende shumë larg asaj që bënte numri 10 i Juventusit, Tobias do të provojë për herë të parë futbollin mes të rriturve.
Përkrah do të ketë Oan Zhorkaef, djalin e ish-sulmuesit të Interit dhe Francës, Juri Zhorkaef, i cili gjithashtu është një sulmues në klubin që i përket qytetit të Sanremos.
Dhe në fazën mbrojtëse, do të jetë Gatuzo. Jo Rino, ish-mesfushori, i cili tashmë është trajneri i Italisë. Por një kushëri i tij, 19-vjeçari Françesko, i cili vlerësohet si një talent me të ardhme. Një treshe që shpreson t’i afrohet lavdisë së mbiemrave që mban, e që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë Italisë.
Lini një Përgjigje