Federata Shqiptare e Futbollit i ka besuar drejtimin e Kombëtares shqiptare trajnerit italian Rolando Maran. Në moshën 62-vjeçare, tekniku italian do të udhëheqë kuqezinjtë në ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe në eliminatoret e “EURO 2028”.
Emërimi i Maran konfirmon vijimësinë e ndikimit italian në futbollin shqiptar gjatë viteve të fundit, si në aspektin teknik ashtu edhe në përzgjedhjen e trajnerëve që kanë ardhur nga Seria A dhe Seria B.
Gjatë prezantimit të tij zyrtar, Maran theksoi se kishte njohuri të mira për futbollistët shqiptarë, pasi shumë prej tyre i kishte pasur kundërshtarë në kampionatin italian. Megjithatë, tekniku italian ka bashkëpunuar edhe drejtpërdrejt me disa lojtarë shqiptarë apo ish-futbollistë të Kombëtares.
Një nga emrat më të njohur është ai i Edgar Çanit. Sulmuesi shqiptar ishte pjesë e Katanias në periudhën kur skuadra drejtohej nga Maran, në vitin 2014.
Më pas, gjatë aventurës së tij te Kievo, trajneri italian pati nën urdhra edhe Armando Vajushin, një tjetër ish-lojtar i Kombëtares shqiptare.
Eksperienca më e fundit e Maran me futbollistë shqiptarë erdhi te Breshia, ku në sezonet 2024-2025 ai drejtoi mesfushorin Emanuele Ndoj, dikur një nga lojtarët më të kushtueshëm shqiptarë, si dhe talentin e Shqipërisë U21, Zylyf Muça.
Në karrierën e tij, Maran ka punuar edhe me futbollistë të tjerë me origjinë shqiptare, të cilët nuk kanë përfaqësuar Kombëtaren shqiptare, mes tyre Përparim Hetemaj, Valon Behrami dhe Andrea Isufaj.
Lini një Përgjigje