
Teksa na ndan vetëm një ditë nga “finalja” mes Serbisë dhe Shqipërisë në Leskovac, skuadra kuqezi zhvillon këtë të premte seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Duboçica”.
Nga pamjet e siguruara nga “ Top Channel”, në stadium nuk është vendosur flamuri shqiptar. Një gjest i shëmtuar ky nga ana e Federatës Serbe, duke mos e përjashtuar ende politikën nga futbolli.
Pritet në orët në vijim nëse UEFA dhe FIFA do të ndërhynë për këtë gjest dhe të vendosin flamurin shqiptar në stadium.
Sfida është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët dhe klimës së tensionuar politike në Serbi, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.
6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit. Në bazë të një marrëveshjeje mes dy federatave, në ndeshjet Serbi - Shqipëri dhe anasjelltas nuk do ketë tifozë kundërshtarë.
Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.
Dje, Ministria e Punëve të Brendshme serbe bëri me dije se në pikën e kalimit kufitar të Merdarës u arrestua një 53-vjeçar shqiptar pasi në furgon kishte pesë çanta me veshje dhe simbole kombëtare kuqezi. Sipas policisë serbe destinacioni ishte Leskovaci, por në ndeshjen e të shtunës nuk do ketë asnjë tifoz shqiptar në stadium.
Lini një Përgjigje