
Moldavi-Shqipëri, ndeshja e parafundit për kuqezinjtë në Grupin E , për kualifikueset e Europianit “Gjermani 2024” do të luhet më 17 nëntor, në orën 18:00 në stadiumin “Zimbru” të Kishinaut. UEFA ka caktuar gjyqtarë me përvojë për këtë takim deciziv, ku padyshim të besuarve të trajnerit Silvinjo u mjafton edhe një pikë për të realizuar ëndrrën europiane.
Në këtë takim drejtësinë do ta vendosë një njohje e vjetër për Kombëtaren shqiptare, pikërisht bëhet fjalë për 44-vjeçarin nga Skocia Uilliam Kollum. Asistenët të tij janë Deivid MkGeçi dhe Frensis Konir. Gjyqtarë i katër është Kevin Klansej, që të tre, ashtu si gjyqtari kryesor, vijnë nga Skocia.
Me profesion arsimtar, ai e ka nisur karrierën me dhënien e mësimit të fesë në departamentin e Edukimit Fetar në Udingston, para se të kalonte më pas në shkollën e mesme Shën Aidan në Uishau.
Kjo do të jetë ndeshja e katërt për gjyqtarin skocez Uilliam Kollum që do të arbitrojë Shqipërinë. Pra bëhet fjalë për një njohje të vjetër, i cili na ka gjykuar edhe në “EURO 2016”. Bëhet fjalë për ndeshjen e 15 qershorit, Francë-Shqipëri e përfunduar me rezultatin 2-0, ku golat për “Gjelat” u realizuan nga Grizman në minutën e 90 dhe Pajet në minutën e 96.
Më herët skocezi na ka gjykuar edhe në dy ndeshje të tjera, që kanë dalë barazim. Për herë të parë Uilliam Kollum ka gjykuar Shqipërinë më 7 qershor 2013, ku në “Qemal Stafa” kemi barazuar në shifrat 1-1 me Norvegjinë dhe golin për Kombëtaren e shënoi Valdet Rama në minutën e 41. Ndërsa hera e dytë ka qenë më 4 shtator 2015, pikërisht në takimin Danimarkë-Shqipëri 0-0. Nisur nga e shkuara, duket se skocezi Kollum i ka sjellë fat Shqipërisë në ndeshjet eliminatore në grup dhe nëse vazhdon tradita, Shqipërisë i mjafton edhe barazimi në Moldavi për të siguruar parakohe kualifikimin në “Gjermani 2024”.
Lini një Përgjigje