
Lando Norris me MekLaren fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Monako, zhvilluar në rrugët qytetase të Montekarlo, i vlefshëm për botërorin e Formula 1. Një fitore e merituar e pilotit britanik, që për herë të parë në karrierën e tij triumfoi në këtë pistë.
Ai e nisi garën nga “pole” dhe e mbylli në vendin e parë, por gjatë garës vuajti jo pak. Në vendin e dytë u rendit Sharls Lëklerk me Ferrari, që nuk arriti të triumfojë në shtëpinë e tij, para fansave që e mbështetën vazhdimisht.
Në podium, i treti, ngjitet edhe Oskar Piastri me makinën tjetër MekLaren. Vetëm i katërti Maks Vershtapen me Red Bull, që udhëhoqi garën deri dy xhiro nga fundi. Ai shpresoi deri në fund për ndonjë aksident para se të ndërronte gomat për herë të dytë.
Këtë vit, në Montekarlo ishte e detyrueshme që pilotët të ndalonin dy herë për gomat, por nuk pati shumë surpriza. Në vendin e pestë u rendit Luis Hamilton me Ferrari, ndërkohë që zhgënjyen totalisht dy makinat Mercedes.
Në një pistë ku ishte e pamundur të parakalohej edhe ato shpresuan për aksidente e makinën e sigurisë për të ndërruar gomat, por pa sukses. Rasëll u rendit në vendin e 11 dhe Antonelli në të 18-tin, pra pa marrë asnjë pikë.
Në zonën e pikëve, pas Hamilton, u klasifikuan Isak Hadjar (i gjashti), Esteban Okon (i shtati), Liam Lauson (i teti), Aleksander Albon (i nënti) dhe Karlos Sainz (i dhjeti). Piastri vazhdon të komandojë renditjen e përgjithshme të Formula 1.
Lini një Përgjigje