TAGS-AT E JAVËS

Sport 3 Qershor 2026, 15:43

Nuk priten shumë tifozë kuqezi në “Air Albania”, Shqipëria nis epokën Maran me testin miqësor ndaj Izraelit

Shkruar nga Pamfleti
Nuk priten shumë tifozë kuqezi në “Air Albania”,
tifozët kuqezi

Shqipëria do të zbresë sot në fushë për ndeshjen e parë miqësore nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran. Kuqezinjtë do të përballen me Izraelin në orën 20:00, në një sfidë që vjen në një moment delikat për ekipin kombëtar.

Eliminimi në fazën “play-off” të Kupës së Botës la një shije të hidhur në kampin kuqezi dhe solli largimin e trajnerit Silvinjo. Federata Shqiptare e Futbollit i besoi pankinën teknikut italian Rolando Maran, me synimin për të rikthyer skuadrën te rezultatet pozitive dhe për të ndërtuar një ekip konkurrues për sfidat e ardhshme.

Një nga objektivat kryesorë mbetet Liga e Kombeve, ku Shqipëria do të kërkojë rikthimin në Ligën B pas zhgënjimit në sezonin e kaluar. Ndërkohë, përballja e sotme pritet të ndiqet nga një numër i kufizuar tifozësh. Burime pranë organizatorëve bëjnë të ditur se vetëm pjesa e parë e stadiumit pritet të jetë e hapur për publikun, ndërsa kati i dytë me shumë gjasa do të mbetet i mbyllur.

Historia e përballjeve

Shqipëria dhe Izraeli janë përballur gjashtë herë deri më tani, me bilancin që favorizon izraelitët. Kuqezinjtë kanë regjistruar dy fitore dhe katër humbje, ndërsa asnjë prej takimeve nuk ka përfunduar në barazim. Izraeli ka shënuar në total nëntë gola, kundrejt gjashtë të Shqipërisë.

Përballja e parë mes dy kombëtareve u zhvillua në kualifikueset e Kupës së Botës 2018. Në nëntor të vitit 2016, Izraeli fitoi 3-0 në Shqipëri. Megjithatë, skuadra kuqezi reagoi në ndeshjen e kthimit, duke triumfuar me të njëjtin rezultat në transfertë në qershor 2017.

Dy ekipet u ndeshën sërish në edicionin e parë të Ligës së Kombeve në vitin 2018. Shqipëria fitoi 1-0 në shtëpi, ndërsa Izraeli mori revanshin një muaj më vonë me suksesin 2-0 në fushën e vet.

Miqësorja e sotme përbën një mundësi të mirë për Shqipërinë jo vetëm për të përmirësuar statistikat përballë Izraelit, por edhe për të nisur me rezultat pozitiv një kapitull të ri nën drejtimin e Rolando Maran.

shqipëria izraeli ndeshja miqësore

Lini një Përgjigje