
Xhxhi Bekali, presidenti i skuadrës rumune të Steauas së Bukureshtit, i cili bëri bujë me deklaratat poshtëruese për dy klubet shqiptare, Shkëndijën e Tetovës dhe Dritën e Kosovës, thuhet se është me origjinë nga Shqipëria.
Kështu të paktën thonë disa artikuj të mediave rumune në arkivën e internetit.
Në shumë artikuj të tillë, thuhet që Bekali ka origjinë nga Ballkani dhe më konkretisht nga Shqipëria. Në to shkruhej se paraardhësit e Bekalit ishin arumunë, ndërsa gjyshi i tij – emrin e të cilit e ka trashëguar Xhorxh (Xhixhi) Bekali – kishte migruar nga Korça në vitin 1928.
“Si mbërriti familja e Xhixhi Bekalit në Rumani”, ky është vetëm njëri prej titujve në arkivin e mediave rumune në internet, përkatësisht e gazetës, “Adevarul.ro”.
Edhe gazeta rumune, “Prosport” dy vite më parë shkruante se familja e Xhixhi Bekalit ka origjinë nga Shqipëria.
“Fakti që Xhixhi Bekali vjen nga një familje arumune, me origjinë nga Shqipëria, është një gjë e njohur në nivelin e shtypit rumun”, shkruhej ndër tjera në këtë gazetë.
Kishte edhe artikuj të atillë që thonin se Xhixhi Bekali pak më herët ka ndërtuar edhe kishë në një fshat të Korçës, në shenjë respekti për origjinën e paraardhësve të tij.
Në internet ekziston edhe një deklaratë që citohet ta ketë thënë vetë Xhixhi Bekali.
“Babai im ka lindur në Shqipëri, kurse nëna ka lindur në Bullgari. Babai është përzënë nga Dobrogea, më pas ka kaluar në Bukovina, pastaj në Banat e sërish në Baragan, në fshatin Zagna, afër Brailas. Pra, unë kam lindur aty në vitin 1958”, citohet të ketë thënë Bekali.
Xhixhi Bekali është president i Steauas së Bukureshtit, një biznesmen shumë i njohur në Rumani dhe thuhet se pasuria e tij shkon mbi 1 miliard euro.
Në Rumani ka karrierë edhe në politikë dhe është një personalitet tejet i njohur atje. Shpeshherë di të jetë edhe kontrovers.
Klubi i tij u eliminua dje në kualifikueset e raundit të dytë të Ligës së Kampionëve nga Shkëndija e Tetovës dhe pas ndeshjes, Bekali tha: Shkëndija është ekip i Divizionit C. Duhej t’i mundnim 3, 4, 5 me zero!
Tashmë, Steaua do të luajë në kualifikueset e Ligës së Europës, ku do të përballet me kampionen e Kosovës, Dritën.
Edhe për këtë, Bekali pati një koment mbrëmë: "Nëse na eliminon edhe Kosova, atëherë le ta lëmë krejt futbollin!"
Lini një Përgjigje