Ndeshja mes Uruguajit dhe Spanjës, e vlefshme për Grupin H të Kupës së Botës, konsiderohet një finale e parakohshme, veçanërisht për përfaqësuesen e drejtuar nga Marselo Bielsa. Pas dy barazimeve në dy takimet e para, uruguaianët kanë nevojë vetëm për fitore për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Megjithatë, atmosfera në kampin e Uruguajit nuk duket aspak e qetë. Sipas raportimeve të medias uruguajane "El Espectador", skuadra po kalon një periudhë tensionesh të brendshme që kanë vënë në pikëpyetje harmoninë përpara sfidës vendimtare.
Raportohet se disa futbollistë i kanë shprehur trajnerit pakënaqësinë për intensitetin e lartë të stërvitjeve, duke argumentuar se ngarkesa fizike ka qenë e tepërt. Sipas tyre, kjo ka ndikuar edhe në dëmtimet e pësuara së fundmi nga lojtarë si Giorgian De Arrashaeta dhe Ronald Araujo.
Pakënaqësitë nuk kufizohen vetëm tek aspekti fizik. Gjithmonë sipas "El Espectador", disa prej lojtarëve kanë shfaqur rezerva edhe për planin taktik të përgatitur nga Bielsa për ndeshjen ndaj Spanjës.
Futbollistët me më shumë eksperiencë në skuadër, si Federiko Valverde, Rodrigo Bentankur, Manuel Ugarte dhe Serxhio Roshet, thuhet se kanë preferuar një qasje më të kujdesshme, me mbrojtje në bllok të ulët dhe kundërsulme të shpejta për të goditur ekipin e Luis de la Fuente. Nga ana tjetër, Bielsa mbetet i vendosur te filozofia e tij e lojës dhe synon që Uruguaji të përballet me Spanjën duke ruajtur identitetin e vet në fushë.
Përballë kësaj situate, trajneri argjentinas zhvilloi një mbledhje me të gjithë skuadrën, e cila zgjati rreth 48 minuta. Gjatë takimit, ai dëgjoi shqetësimet e futbollistëve, por njëkohësisht u përcolli edhe mesazhin e tij lidhur me situatën.
Sipas medias uruguajane, Bielsa kritikoi disa lojtarë që, sipas raportimeve, kishin kërkuar largimin e tij nga drejtimi i kombëtares. Kjo pakënaqësi lidhet edhe me vendimin e trajnerit për të mos përfshirë në Botëror dy emra të rëndësishëm si Luis Suarez dhe Nahitan Nandez, një zgjedhje që kishte shkaktuar debat që në momentin kur u mor dhe që, sipas raportimeve, mbetet një nga burimet e tensioneve brenda skuadrës.

Lini një Përgjigje