
Ndarja nga jeta e trajnerit të njohur Mirçea Luçesku ka tronditur botën e futbollit rumun, duke shkaktuar reagime të forta emocionale, veçanërisht nga ish-lojtarët që kanë punuar nën drejtimin e tij.
Një ndër reagimet më të ndjera erdhi nga legjenda e futbollit rumun, Georghe Hagi, i cili në një deklaratë për “Digi24” shprehu tronditjen dhe dhimbjen e tij.
“E kam pasur shumë të vështirë të flas. Vetëm tani po përpiqem të gjej fjalët. Jam i tronditur”, u shpreh Hagi.
Hagi theksoi se marrëdhënia e tij me Lucescu-n nuk ishte vetëm profesionale, por kishte dimensione të thella personale.
“Për mua ai ishte si një baba. Ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën time, më ka mbështetur në momente të rëndësishme dhe të vështira. Nuk ishte vetëm një trajner i madh, por mbi të gjitha një njeri i rrallë”, deklaroi ai.
Ish-futbollisti vlerësoi kontributin e Luçeskut në zhvillimin e tij si lojtar dhe si individ, duke e cilësuar si një figurë kyçe në rrugëtimin e tij.
“Më ka mësuar shumë gjëra. Ishte një mjeshtër i vërtetë, pothuajse si një profesor për mua. I detyrohem shumë për gjithçka që kam arritur”, tha Hagi.
Në fund, Hagi ndau edhe një episod personal që, sipas tij, ilustron përkushtimin e jashtëzakonshëm të Lucescu-t ndaj futbollit.
“Para ndeshjes së ‘play-off’-it ndaj Turqisë, më tha se nëse nuk do të kualifikoheshim, mund të sëmurej dhe madje të vdiste. Kaq i përkushtuar ishte ndaj lojës”, rrëfeu ai.
Lini një Përgjigje