Pas marshimit nëpër disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit, protestuesit janë kthyer sërish para godinës së Kryeministrisë, ku po vijojnë tubimin e nisur në kuadër të ditës së 23-të të protestës qytetare kundër qeverisë.
Turma, e cila më herët marshoi nga Kryeministria drejt Bashkisë së Tiranës, më pas te Ushtari i Panjohur, në zonën e Ish-Bllokut dhe pranë Gardës së Republikës, është kthyer në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku po mbahen fjalime nga pjesëmarrës dhe aktivistë të protestës.
Gjatë rikthimit para Kryeministrisë kanë vijuar thirrjet “Rama ik”, “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg”, “Berisha në burg” dhe “Shqipëri e re”.
Pjesëmarrësit kanë theksuar se protesta do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa nga podiumi po mbahen fjalime dhe mesazhe drejtuar qeverisë dhe institucioneve.
Tubimi vijon para Kryeministrisë, ku protestuesit po dëgjojnë fjalimet e radhës në mbyllje të marshimit të zhvilluar në rrugët e Tiranës.
Lini një Përgjigje