Sport19 Gusht 2023, 22:12

Pse Çelsi nuk ndëshkohet për shpenzimet marramendëse dhe kush është Tod Bohli që urren financat dhe duhanin

Shkruar nga Pamfleti

Pse Çelsi nuk ndëshkohet për shpenzimet marramendëse dhe

Fakti që merkato ka pësuar një kthesë epokale vitet e fundit nuk është më diçka e re. Blerjet mbi 100 milionë euro tashmë janë praktikë. Në të vërtetë, për disa ekipe jemi të befasuar nëse kërkesa dhe oferta nuk i kalojnë 80 milionë.

Midis tyre është sigurisht Çelsi i Tod Bohlit, i cili ka shpenzuar shuma të çmendura parash që nga maji i vitit 2022. Kush i zotëron blutë dhe pse klubi nuk sanksionohet?

I lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Virxhinia, në vitin 1973, Tod Bohli vjen nga një familje me origjinë gjermane. Ai u diplomua në vitin 1991 dhe u regjistrua në Kolegjin e Uilliam & Meri, universiteti ku Tomas Xheferson studioi financë.

Ai fitoi menjëherë shumë përvojë në kompani si Citybank dhe Credit Suisse First Boston dhe në vitin 2010 ishte protagonist i një episodi të veçantë. Ai e urren duhanin dhe kur është në një dhomë hoteli në Kansas, e nuhat atë, merr mbulesat dhe shkon të flejë në stol në një park.

Në orën 5 të mëngjesit të ditës pasardhëse ai ishte përballë zyrave të Security Benefit, një kompani sigurimesh, për të cilën po negocionte një marrëveshje të rëndësishme (të cilën e përfundoi) në emër të kompanisë Guggenheim Partners, për të cilën punon.

Ambicia dhe shenjat e para të karakterit të një sipërmarrësi të madh fillojnë të shihen që nga viti 2010 e në vazhdim. Në vitin 2015, ai u largua nga kompania e së cilës ishte bërë president, mori me vete disa drejtues, bleu disa asete të Guggenheim Partners (përfshirë Security Benefit) dhe themeloi Eldridge Industries.

Që nga viti 2022, Bohli kishte asete prej 4.5 miliardë euro dhe kishte investuar tashmë në shumë kompani, duke përfshirë DraftKings, EpicGames (që zhvilloi lojën Fortnite), dhe është gjithashtu pronar i revistave si Billboard, Rolling Stone, Variety dhe Hollywood Reporters.

Jo vetëm kaq, përveçse ishte pronar i disa hoteleve, ai bleu Los Angeles Dodgers në Major League Baseball në vitin 2012, së bashku me Magic Johnson. Ai gjithashtu zotëron 27% të Los Angeles Lakers dhe zotëron një përqindje të Los Angeles Sparks në WNBA.

Që nga maji i vitit 2022, ai ka në pronësi Çelsin, të cilin tashmë ishte përpjekur ta blinte në vitin 2019, pa sukses. Në fund, blerja e bluve me ndihmën e sipërmarrësve dhe investitorëve të tjerë kushtoi rreth 5 miliardë euro.

Pse Çelsi nuk penalizohet?

Nga maji i vitit 2022 deri në qershor të vitit 2023, Çelsi shpenzoi 676 milionë euro. Këtyre u duhen shtuar blerjet ndërmjet korrikut dhe gushtit të Moises Kaisedo (133 milionë euro), Disasi (45 milionë euro), Lavia (62 milionë plus bonuse), Ugoçukvu (27 milionë euro), Anxhelo (15 milionë euro) dhe Robert Sançez (23 milionë euro).

Prandaj, shifra e një miliardë eurosh pothuajse arrihet në pak më shumë se një vit: por si arrin Çelsi të përballojë shifra të tilla pa marrë sanksione nga UEFA?

“Taktika” që zbatohet nga blutë është e thjeshtë: kontratat e nënshkrimeve të reja bëhen shumë të gjata dhe shumëvjeçare. Dy shembujt e fundit janë Lavia dhe Kaisedo që nënshkruan respektivisht deri në vitin 2030 dhe 2032.

E njëjta gjë vlen edhe për Sançez (2030), Uguçukvu (2030), Disasi (2029), Malo Gusto (2030, blerë në janar), Nikolas Xhekson (2031), Nkunku (2029), por edhe i njëjti rinovim i Levi Coluill deri në vitin 2029.

Në këtë mënyrë kartoni i lojtarit amortizohet në disa vite dhe jo vetëm në vitin 2023. Situata për shitje është ndryshe: në fakt, Çelsi ka shitur lojtarë të ndryshëm si Havertz, Kulibali, Kovaçiç, Mant, Mendi, Pulisiç, Loftus-Çik dhe Ampadu.

Shitja e këtyre lojtarëve, është futur në buxhetin e vitit 2023. Pra, a nuk rrezikon asgjë te Çelsi? Jo, përkundrazi do të duhet të jenë mirë çdo vit në arkëtimin e shitjeve, nga kualifikimet në Kupat e Europës etj. Kjo sepse FFP (Fair Play Financiar) nuk u lejon të shpenzohet më shumë sesa fitohet.

Për më tepër, nga sezoni i ardhshëm, UEFA do të prezantojë një rregull për amortizimin, i cili mund të bëhet për maksimumin 5-vjet, por nuk do të jetë prapaveprues. Blutë janë “të sigurt”, por nuk do të jenë më në gjendje të amortizojnë kontratat për më shumë se pesë vjet.

tod bohli presidenti i çelsit