Kombëtarja shqiptare U21 është mposhtur me rezultatin minimal 1-0 nga Italia U21 në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Fontafredda, duke regjistruar humbjen e parë pas pesë ndeshjeve.
Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi zhvilloi një paraqitje të mirë përballë një kundërshtari cilësor si Italia, por në fund nuk arriti të shmangte humbjen.
Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, me kuqezinjtë që rezistuan ndaj përpjekjeve të vendasve dhe ruajtën ekuilibrat në fushë.
Pas pushimit, italianët rritën presionin dhe në minutën e 63-të gjetën golin e avantazhit me Calvanin, i cili realizoi për 1-0 në favor të “Axurrëve” të vegjël.
Shqipëria reagoi menjëherë dhe provoi të rikthente baraspeshën me Tomën, Përndrecën dhe Fatajn, por rastet e krijuara nuk u konkretizuan në gol.
Pavarësisht përpjekjeve deri në fund, rezultati mbeti i pandryshuar dhe Italia U21 siguroi fitoren minimale ndaj përfaqësueses shqiptare.
Kjo ishte humbja e parë për kuqezinjtë pas pesë ndeshjeve, ndërsa stafi teknik e konsideron këtë përballje një test të vlefshëm në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian U21 të vitit 2027.
Shqipëria do të jetë një nga vendet organizatore të këtij kompeticioni madhor së bashku me Serbinë, ndaj ndeshje të tilla me kundërshtarë të nivelit të lartë konsiderohen të rëndësishme për rritjen dhe konsolidimin e ekipit.
Lini një Përgjigje