Ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka hapur një front të ri ligjor kundër presidentit aktual të FIFA-s, Gianni Infantino, duke ngritur një padi për shpifje dhe ushtrim ndikimi në lidhje me çështjen që i dha fund ambicieve të tij për të drejtuar futbollin botëror.
Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate të publikuar sot, ku Platini njoftoi se ka depozituar një ankesë penale kundër Infantinos, si dhe kundër dy ish-zyrtarëve të FIFA-s, Marco Villiger dhe Domenico Scala.
Sipas ish-legjendës së futbollit francez, tre zyrtarët kanë vepruar në mënyrë të koordinuar për ta përjashtuar nga gara për presidencën e FIFA-s në vitin 2015, përmes asaj që ai e cilëson si një seri akuzash të pabaza.
“Nuk do t’i lë të lirë njerëzit që më kanë lënduar”, deklaroi Platini, duke rikthyer në vëmendje një nga skandalet më të mëdha në historinë moderne të futbollit.
Beteja ligjore që zgjat prej më shumë se një dekade
Platini kishte depozituar më herët dy ankesa të ngjashme, në vitet 2018 dhe 2021, por ato nuk sollën rezultatet që ai priste. Njëra u konsiderua e parashkruar, ndërsa tjetra u rrëzua nga drejtësia zvicerane në tetor të vitit të kaluar.
Megjithatë, ish-numri një i UEFA-s nuk është tërhequr. Krahas padisë së re penale, ai ka paralajmëruar edhe një proces civil kundër FIFA-s, me qëllim që të kërkojë dëmshpërblim për dëmet financiare dhe morale që pretendon se ka pësuar.
Sipas tij, manovrat e ndërmarra nga drejtuesit e FIFA-s i kushtuan mundësinë për t'u zgjedhur president i organizatës më të madhe të futbollit në botë.
Si nisi skandali që ndryshoi historinë e FIFA-s?
Në vitin 2015, emri i Michel Platini u përfshi në një hetim që lidhej me një pagesë prej 2 milionë frangash zvicerane të kryer nga FIFA në favor të tij katër vite më parë.
Publikimi i këtij informacioni shkaktoi një valë procedurash disiplinore dhe penale, pikërisht në momentin kur Platini konsiderohej kandidati favorit për të pasuar Sepp Blatter në krye të FIFA-s.
Skandali i dha fund kandidaturës së tij dhe ndryshoi rrjedhën e zgjedhjeve në organizatë.
Si përfitoi Infantino?
Pas largimit të Platinit nga gara, rruga drejt presidencës së FIFA-s u hap për Gianni Infantinon, i cili në atë kohë shërbente si sekretar i përgjithshëm i UEFA-s dhe konsiderohej një nga bashkëpunëtorët më të afërt të francezit.
Infantino fitoi zgjedhjet në vitin 2016 dhe më pas u rizgjodh pa rivalë në vitet 2019 dhe 2023. Ai pritet të kërkojë edhe një mandat tjetër në zgjedhjet e ardhshme të FIFA-s.
Ndërkohë, Platini u shpall përfundimisht i pafajshëm nga drejtësia zvicerane në vitin 2025, një vendim që i dha atij mundësinë të rikthejë ofensivën ligjore kundër atyre që ai i konsideron përgjegjës për rrëzimin e karrierës së tij në administrimin e futbollit botëror.
Padia e re pritet të rihapë një nga përplasjet më të forta në historinë e FIFA-s, vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut.
Lini një Përgjigje