
Dritat e stadiumit “Giuseppe Meazza” do të ndizen sonte për një nga përballjet më të rëndësishme të sezonit në Serie A, derbin mes Milanit dhe Interit, një sfidë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në garën për titull.
Interi vjen në këtë përballje si kryesues i kampionatit, me një avantazh prej 10 pikësh ndaj rivalit të qytetit. Zikaltërit synojnë të konfirmojnë dominimin dhe të afrohen edhe më shumë drejt titullit kampion, duke rikujtuar momentin historik të dy viteve më parë, kur një fitore 2-1 ndaj Milanit i siguroi Interit titullin e njëzetë dhe yllin e dytë në fanellë.
Megjithatë, bilanci i derbive të fundit flet në favor të kuqezinjve. Që nga ajo përballje, Milani ka arritur katër fitore dhe dy barazime ndaj Interit. Kuqezinjtë kanë fituar edhe dy derbit e fundit, ndërsa hera e fundit që Milani ka triumfuar tre herë radhazi ndaj rivalit të qytetit daton në sezonin 2010-2011.
Nga ana tjetër, Interi po kalon një formë shumë të mirë në kampionat. Skuadra zikaltër është e pamposhtur në 15 ndeshje, me 14 fitore dhe vetëm një barazim. Megjithatë, një nga disfatat më të papritura të sezonit ishte pikërisht derbi i fazës së parë më 23 nëntor, i fituar 1-0 nga Milani falë golit të Kristian Pulisiç.
Statistikat tregojnë epërsinë e Interit në disa aspekte të lojës këtë sezon. Skuadra ka vetëm një barazim në kampionat, është ekipi me më shumë gola të shënuar (64) dhe gjithashtu ka regjistruar 15 ndeshje pa pësuar gol. Ndërkohë, Milani është shquar për aftësinë për të përmbysur situata të pafavorshme, duke siguruar 14 pikë nga ndeshje ku ishte në disavantazh, krahasuar me vetëm tre për Interin.
Një tjetër statistikë interesante lidhet me pjesën e parë të ndeshjeve të Milanit: në 27 javë kampionati, kuqezinjtë e kanë mbyllur 16 herë pjesën e parë në barazim, rreth 60 për qind të rasteve.
Në aspektin individual, Interi pret shumë nga Federico Dimarco, i cili ka qenë i përfshirë – me gola dhe asiste – në pothuajse një të tretën e golave të ekipit. Nga ana tjetër, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, mbështetet te forma e Rafa Leaos. Sulmuesi portugez ka shënuar tre gola në 21 përballje kundër Interit dhe konsiderohet një nga armët kryesore të kuqezinjve për të fituar derbin dhe për të mbajtur gjallë garën për “Scudetto”.
Me dy skuadrat që vijnë në formë të mirë dhe me histori të freskëta përplasjesh mes tyre, derbi i mbrëmjes në “Meazza” pritet të jetë një përballje me peshë të madhe për vazhdimësinë e sezonit në Serie A.
Lini një Përgjigje