TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Mars 2026, 22:02

Silvinjo përgatit listën për sfidën me Poloninë, tekniku brazilian bën gati 50 ftesa dhe eviton takimet me lojtarët në Turqi

Shkruar nga Pamfleti

Silvinjo përgatit listën për sfidën me Poloninë,

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, po i jep formë listës së zgjeruar për ndeshjen e play-off-it të Botërorit 2026, që do të luhet më 26 mars në Varshavë kundër Polonisë.

Braziliani ka hartuar një listë prej rreth 50 lojtarësh, nga e cila javën e ardhshme pritet të dërgohen ftesa zyrtare në formën e listës së pritjes. Vetëm 4-5 ditë para ndeshjes do të bëhet publike lista e shkurtër prej 23 lojtarësh që do të udhëtojnë drejt Varshavës.

Gjatë vizitës së fundit në Turqi, Sylvinho, i shoqëruar nga ndihmësi Doriva, ndoqi dy ndeshje të Kupës së Turqisë. Fillimisht vëzhgoi nga tribuna përballjen mes Basaksehir dhe Trabzonsporit, ku Ernest Muçi luajti 90 minutat e plota dhe kontriboi me një asist. Edhe pse nuk shënoi, Muçi ishte aktiv gjatë gjithë kohës dhe portali i specializuar Sofascore e përfshiu në formacionin e javës në kampionatin turk, duke i dhënë notën 7.6. Një ditë më pas, trajneri Sylvinho dhe stafi i tij ndoqën edhe përballjen e Kupës së Turqisë mes Besiktas dhe Çaykur Rizespor, ku Kristjan Asllani u fut në lojë si zëvendësues në minutën e 78-të për Besiktasin, ndërsa Qazim Laçi qëndroi në stol për Rizesporin. Laçi ishte i dëmtuar dhe nuk ishte në gjendje të aktivizohej.

Megjithatë, ndryshe nga vizitat e realizuara te lojtarët shqiptarë në Itali, Sylvinho nuk u takua personalisht me asnjë futbollist gjatë qëndrimit në Turqi. Braziliani u kufizua vetëm në vëzhgim nga tribuna, pa organizuar asnjë takim individual. Po kështu, sulmuesi Rey Manaj, i cili militet në kategorinë e dytë turke, nuk u përfshi fare në agjendat e monitorimit të stafit teknik.

Kontrast i qartë me qasjen ndaj lojtarëve në Itali: Sylvinho ishte i pranishëm në ndeshjen Lazio-Atalanta, ku aktivizohen titullarët e Kombëtares Berat Gjimshiti dhe Elseid Hysaj. Gjatë qëndrimit atje, trajneri zhvilloi edhe një takim me kapitenin Berat Gjimshiti, ndërsa në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit priti në vizitë Elseid Hysaj. Gjithashtu, në Portugali, stafi teknik ndoqi sfidën e Europa League Porto-Rangers, për të vlerësuar nga afër paraqitjen e mesfushorit Nedim Bajrami.

Trajneri pritet të bëjë edhe dy afrime të reja në mbrojtje – futbollistin e AEK-ut të Athinës, Stavros Pilios, dhe mbrojtësin e Lechia Gdansk në Poloni, Bujar Pllana, i cili njeh mirë kundërshtarin.

Nëse Shqipëria kalon Poloninë, do të përballet më 31 mars me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi, me shansin për të siguruar biletën e parë historike në Kupën e Botës./Top Channel

 

silvinjo trajneri i kombëtares "play off" me poloninë

Lini një Përgjigje