
Superliga shqiptare e futbollit zhvilloi këtë të diel dy nga ndeshjet e javës së 27-të. Tirana u mposht në shtëpi nga AF Elbasani, ndërsa Bylisi arriti një fitore të rëndësishme ndaj Vorës në Ballsh.
Në stadiumin “Selman Stërmasi”, Tirana u mund 0-1 nga AF Elbasani, duke regjistruar humbjen e katërt radhazi në kampionat. Goli vendimtar u shënua nga Ze Gomes në minutën e fundit të pjesës së parë.
Ndeshja u karakterizua nga tensioni si në tribuna ashtu edhe në fushën e lojës. Në fund të takimit pati përplasje mes futbollistëve, ndërsa Kobiljar i Tiranës u ndëshkua me karton të verdhë.
Pas kësaj humbjeje, Tirana mbetet në vendin e parafundit të renditjes me 21 pikë, duke u përballur me një situatë të vështirë në luftën për mbijetesë. Nga ana tjetër, AF Elbasani konsolidon vendin e dytë me 49 pikë.
Ndërkohë, në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, Bylisi fitoi 1-0 ndaj Vorës. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Ahmed Adepoju në minutën e 88-të, duke i dhënë skuadrës së drejtuar nga Mirel Josa tri pikë të rëndësishme.
Me këtë fitore, Bylisi ngjitet në kuotën e 27 pikëve dhe del nga zona e ftohtë e renditjes, ndërsa Vora zbret në vendin e tetë me 26 pikë.

Lini një Përgjigje