TAGS-AT E JAVËS

Sport26 Korrik 2025, 15:43

Tare dhe Alegri kanë “ringjallur” Milanin, kuqezinjtë i japin leksion Liverpulit

Shkruar nga Pamfleti

Tare dhe Alegri kanë “ringjallur” Milanin, kuqezinjtë i

Milani mposht me rezultatin 2-4 Liverpulin në stadiumin 'Kai Tak Sports Park' të Hong Kongut. Mes 50 mijë të pranishmëve, një homazh kishte edhe për Diogo Zhotën, ish-sulmuesin portugez të Liverpulit, i cili u nda nga jeta së bashku me të vëllanë më 3 korrik pas një aksidenti me makinë.

Përballja në Kinë nisi me Milanin në kërkim të golit. Pas vetëm dhjetë minutash të besuarit e Alegrit gjetën golin me Leaon. Portugezi mori një pasim nga Pulisiç dhe kapi në kundërsulm të pavendosur prapavijën e kuqe. E majta diagonale e Leaos u ndal pas krahëve të Alison, ndërsa goli ishte një dedikim për Zhotën.

Pas golit të pësuar, Liverpuli e mori veten dhe në minutën e 26 Shoboslai shënoi një supergol duke vendosur ekuilibrat. Pjesa e parë u mbyll 1-1, ndërsa fraksioni i dytë nisi me nëntë ndryshime te Liverpuli.

Diçka e tillë i dha hov Milanit që gjeti golin e dytë me Loftus-Çik në minutën e 52, me asist të Leaos. Sërish portugezi "gatoi" golin e tretë nga Okafor në minutën e 60. Për t'u përmendur se Liverpuli goditi edhe traun e portës, para se Gakpo të shënonte golin e dytë në shtesë. Në sekondat e fundit, një gafë e mbrojtjes së Liverpulit i dha mundësinë Okafor që të shënonte golin e katërt të ndeshjes dhe të dytin personal.

Me rezultatin 2-4, Milani i jep suksesin e parë Maks Alegrit pas rikthimit në stolin e "Djallit", ndërsa sfida e verës ishte një miqësore luksi për tifozët. Te Milani debutoi Estupinian, ndërsa nga ana tjetër, Uirc në pjesën e parë tregoi se jo më kot Liverpuli shpenzoi 140 milionë euro për të.

Pas humbjes përballë Arsenalit me rezultatin 1-0, Milani tregoi një tjetër “fytyrë” kundër Liverpulit. Duket se “dora magjike” e Igli Tares, por edhe ajo e Masimiliano Alegrit, kanë ringjallur Milanin që tifozët duan.

milan liverpul ndeshja miqësore

Lini një Përgjigje