
Iiria e Fushë-Krujës dhe Tirana zhvilluan pasditen e sotme një test miqësor në stadiumin “Redi Maloku”, që përfundoi me shifrat 0-2 për bardheblutë e kryeqytetit.
Golat e Ardit Hilës në minutën e 25 dhe sulmuesit Hasani në minutën e 65 i dhanë fitoren skuadrës së Orges Shehit.
Vijon ngërçi i fitoreve në testet miqësore për skuadrën e Erzenit. Shijakasit nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 ndaj Kastriotit, në duelin e zhvilluar pasditen e sotme.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi në barazim pa gola, ndërkohë që për të zhbllokuar takimin mendoi sulmuesi Oshafi, i cili në minutën e 62 gjeti rrugën e rrjetës. Epërsia e shijakasve zgjati vetëm 13 minuta, pasi ishte Omar Musai, ai i cili vendosi baraspeshën në këtë duel.
Kujtojmë që ky ishte goli i parë që skuadra shijakase shënon në testet miqësore, pasi në 4 testet e mëparshme nuk e kishte gjetur asnjëherë rrugën e rrjetës. Barazimi i vetëm i regjistruar ishte ai ndaj Kukësit pa gola.
Skënderbeu ka bindur në miqsoren e zhvilluar pasditen e sotme në qytetin e Korçës, duke mundur Lushnjën me rezultatin 5-1. Dominim absolut i skuadrës së drejtuar nga trajneri Gvozdenoviç, që zhbllokoi shifrat që në minutën e 16 me shkodranin Nikaj. Për golin e dytë mendoi Juri në minutën e 41. Mesfushori brazilian shtangu portierin Haremi me një predhë nga distanca, duke ngritur shifrat në 2-0.
Në minutën e 50-të, ishte Moses, që shënoi golin e tretë për korçarët, ndërkohë që Zisi, me një gol fantastik nga goditja e dënimit, provoi të hapte sfidën, por vetëm kaq, pasi edhe në minutat në vazhdim ishte Skënderbeu që vendosi diktatin, duke shënuar edhe 2 herë të tjera me Likën me penallti në minutën e 67 dhe Muharemin në fundin e ndeshjes.
Gjyqtari Kotemelo ndëshkoi me karton të kuq 3 futbollistë të Lushnjes, fillimisht në minutën e 11, u ndëshkua Tabaku për ofendim ndaj gjyqtarit, ndërkohë në minutën e 66, u ndëshkuan edhe Magani dhe Levendi, po për ofendim ndaj gjyqtarit.
Lini një Përgjigje